Pas deklaratës së presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza një ditë më parë në gazetën tonë kur deklaronte se nuk ishte në dijeni të ndonjë peticioni të firmosur nga klubet e ndryshme për shkarkimin e tij dhe se ai nuk do të largohej nga ky post, ka reaguar trajneri i Vllaznisë Zef Gjoni, që është njëkohësisht edhe një nga inisiatorët e firmosjes së atij peticioni. Duke folur për gazetën ai do të thoshte:


“I kam lexuar pretendimet e presidentit Leqejza se gjoja nuk ka asnjë peticion të firmosur kundër tij dhe se ai nuk do të largohej nga ai post. Unë dua të them të kundërtën. Peticioni e kanë firmosur 9 klube dhe shoqata sportive, aq sa e kërkon statuti për të thirrur një Asamble Zgjedhore të parakohshme. Atë e kemi dorëzuar në Federatë dhe protokolluar por nga punonjësit e saj na është thënë se për ta konsideruar të mirëqenë këtë peticion duhet që ata të cilët do ta firmosin, ta bëjnë këtë gjë në prani të noterit në mënyrë që të mos ketë dyshime për fallsifikim firme. Edhe këtë procedurë do ta kryejmë dhe mbetet vetëm dorëzimi në Federatë”. Trajnerët janë mbledhur mbrëmë në Shkodër për shkak të ndeshjeve të Kupës së Republikës që do të zhvillohet për dy ditë me rradhë në këtë qytet dhe natyrisht që kanë diskutuar edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në Federatë. Kuptohet që shumica është e mendimit se duhet të ndryshojë diçka. Jo më kot, sot pritet që në qytetin verior të Shqipërisë të jetë edhe njeriu që pretendon të zgjidhet si president i kësaj Federate Florend Kalivopulli që pritet të ketë një takim edhe me trajnerët e të gjithë ekipeve. Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Vllaznisë Gjoni që për gazetën tonë do të thoshte: “Zoti Leqejza vërtetë mund të mos dëshirojë të ikë por do ta largojmë. Ia kemi kërkuar me shumë miqësi të jepte dorëheqjen sepse nuk ka dhënë asgjë për këtë sport por ai nuk deshi. Presidenti i ri do të jetë Florend Kalivopulli i cili do të jetë në Shkodër nesër (sot) për të ndjekur ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë dhe do të keni mundësi ta intervistoni vetë për të dëgjuar për premtimet e tij se çfarë ka ndër mend të bëjë për boksin shqiptar pasi të zgjidhet president”. Duket se për këtë grup trajnerësh dhe klubesh nuk ka kthim prapa në rrugën e tyre për të ndryshuar kreun e Federatës. Se sa do ia arrijnë, kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme. E rëndësishme është që sot në finalet e Kupës së Republikës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do jenë dy presidentë: ai aktuali, Gjergj Leqejza dhe ai që pretendon të zgjidhet, Florend Kalivopulli.

© shkodrasport.com