Prej disa kohësh emri i tij lakohet shumë në merkato. Ku ekipe të ndryshme kanë shprehur interes për shërbimet e tij, duke qenë se edhe nuk shikohet në planet e Chelseas. Fjala është për Armando Brojen, i cili me siguri do gjejë një skuadër të re për sezonin e ri. Ku nuk mungon as interesi nga skuadra të njohura si: Juventus apo Milan për 22-vjeçarin.
Por pavarësisht situatës së tij jo edhe aq të qartë, Broja mbetet lojtari më i shtrenjtë shqiptar në merkato. Shkodrani vlerësohet me një çmim prej 22 milionë eurosh nga ekspertët e shit-blerjes së futbollistëve. Po ashtu edhe nga lojtarët shkodranë në mbarë Botën, ai renditet i pari përsa i përket vlerës së kartonit. Ku së fundmi me Brojën në çmim është afruar një talent tjetër.
Ai është Brajan Gruda, sulmuesi me origjinë shkodrane që luan në rradhët e Mainz në Gjermani. Pavarësisht se vetëm 20-vjeç, mëngjërashi ka një vlerë prej 20 milionë eurosh në merkato. Ku edhe ai po ashtu vështirë se do e vijojë sezonin e ri tek Mainz, duke parë interesin e madh në drejtim të tij nga skuadra shumë prestigjoze në Europë.
Përsa i përket renditjes së shkodranëve më të shtrenjtë në futboll, treshja e parë mbyllet nga Marash Kumbulla. Me mbrojtësin e Romes që kap një vlerë prej 4.5 milionë eurosh. Një diferencë goxha e madhe me dyshen Broja-Gruda. Pas treshes së parë nga futbollistët shkodranë më të shtrenjtë është Elsaid Hysaj i Lazios, me vlerën e 2.5 milionë eurove.
Endri ÇINARI