Skuadra e Veleçikut do të zbresë në fushën e stërvitjes javën e ardhshme për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Edhe pse ishte parashikuar që stërvitja të fillonte këtë mesjavë, duket se ajo është shtyrë për javën e ardhshme për disa arsye objektive në kompleksin “Vëllezërit Duli”, aty ku edhe Veleçiku bën stërvitje dhe luan takimet zyrtare.
Deri më tani, ekipi koplikas nuk ka bërë asnjë afrim, por sipas trajnerit Besnik Duli dhe drejtorit Nuri Rexha, Veleçiku do të paraqitet ndryshe këtë sezon.
Nga sa bëhet me dije, drejtuesit do të ruajnë boshtin e futbollistëve të sezonit të kaluar, por krahas tyre mendohet të ketë afrime edhe nga Akademia Vllaznia, Tërbuni, Besëlidhja apo edhe nga ekipe të tjera.
Gjithsesi, duhet pritur ende për të parë se si do të jetë Veleçiku këtë vit dhe cilat do të jenë afrimet e para zyrtare të këtij ekipi.
Maringlen ZHIVANI