Arsenali e ka mbajtur shtrënguar fort mbrojtësin francez Uilliam Saliba këtë verë, pasi “Topçinjtë” kanë refuzuar një ofertë të guximshme. Në fakt, bëhet fjalë për një interesim të Real Madridit për francezin, që daton më shumë se 12 muaj më parë, edhe pse Arsenali ka punuar për një zgjatje të kontratës së tij, që aktualisht është e vlefshme deri në 2027-n.
Edhe trajneri Mikel Arteta ka deklaruar publikisht se është i bindur që do ta mbajë Saliban, duke konfirmuar se 23- vjeçari i ka thënë se ndihet i lumtur në Londrën Veriore. Arsenali pritet të kërkojë rreth 80 milionë euro për të marrë parasysh një shitje, ndërsa Real Madridi është gjithashtu i hapur për të pritur një transferim të lirë pas dy vitesh.
Sipas raportimeve nga “Diario Sport”, Real Madridi ka kontaktuar Arsenalin për një marrëveshje shkëmbimi, që përfshinte Rodrigon si pjesë e marrëveshjes për Saliba. Braziliani ishte i lidhur më herët me Arsenalin, para Kupës së Botës për Klube.
Raportimet theksojnë se bëhej fjalë për një shkëmbim pa para, pasi të dy lojtarët vlerësohen në shuma të ngjashme. Por Arsenali e refuzoi direkt ofertën, duke e bërë të qartë se synimi i tyre është ta mbajnë Saliban. E madje kanë gati rinovimin.