Astrit Hafizit i kanë parë sytë nga të gjitha në futbollin e dekadave të fundit, por këtë sezon e cilëson të veçantë. Për shumë arsye… “Do të jetë një sezon i turbullt. Në Shqipëri punohet pa përgjegjshmëri, ndaj edhe po na parakalon Kosova me shpejtësi. Punohet pa plan dhe pastaj kur mbërrijmë në pikën kritike, përdorim dy shprehje:

‘E mirë, se këto gjëra ndodhin kudo në botë…’ ose ‘Ne kemi infrastrukturë më të mirë, kemi ndërtuar tre stadiume…’ Jo, mo jo, nuk ecet kështu”, thotë ish-trajneri i Kombëtares shqiptare.

Në analizën që bën për “Panorama Sport”, shkodrani pohon se ligji për sportin mund të jetë hapi i parë, por nëse duam ndryshime të rëndësishme, nevojitet një ndryshim rrënjësor në gjithë sistemin sportiv. Natyrisht, ka një “shigjetë” edhe për Partizanin e Kukësin, që megjithëse fituan trofe, bënë ndryshime drastike.

Çfarë prisni nga ky sezon?

Mendoj se do të jetë një sezon i turbullt dhe i paqartë. Është hera e parë që nis sezoni me një problematikë kaq të zgjeruar në dekadat e fundit, sepse kemi shumë klube me probleme. Nuk është vetëm Skënderbeu, por edhe klube me vështirësi të jashtëzakonshme financiare.

Kjo do ta prekë garën pa dyshim. Jo se vitet e tjera klubet shkëlqenin dhe kishte ndonjë rritje të pëlqyeshme të nivelit, por nuk kishte kaq shumë skuadra me probleme që në start. Kanë qenë më të qeta skuadrat dhe nuk kishin arritur në këtë pikë.

Është hera e parë ndoshta që gjysma e skuadrave të elitës përjetojnë njëherazi një gjendje alarmi. Dhe kjo, pa dyshim, që të ngjall një ndjesi dëshpëruese. E megjithatë, ka edhe anën tjetër të medaljes që e bën kampionatin më të veçantë dhe interesant. Jam kurioz të shoh se si do të zhvillohet ky kampionat.

A ka shanse që në këtë “turbullirë” diçka të përmirësohet ose diçka të bëhet më mirë se vitet e kaluara?

Unë mendoj se ndryshimet mund t’i bëjnë vetëm ato skuadra që nuk kanë pasur probleme të mprehta financiare apo të ndonjë natyre tjetër. Natyrisht, ato janë pak, por mund të konsolidohen dhe të bëhen shembull për të tjerat. Pa dyshim, që një ndeshje e bukur që në start sot mes Kukësit dhe Partizanit mund të krijojë atmosferë, mund të japë pak shpresë, por ndeshjet e bukura nuk i zgjidhin problemet.

A është ligji i sponsorizimeve zgjidhja e situatës ku është futbolli dhe sporti sot?

Miratimi i ligjit për sponsorizimet do të ishte një hap tejet pozitiv. Natyrisht, nuk mund të zgjidhet gjithçka si me magji pas miratimit të tij, por sot që flasim, jemi ndër vendet e fundit në rajon sa i përket sportit. Pa një ligj sporti dhe pa një strategji kombëtare të mirëfilltë për sportin nuk mund të ketë ndryshime të mëdha.

Jemi shumë mbrapa. Duhet të ndryshojë edhe mentaliteti dhe menaxhimi i klubeve. Këto të fundit janë akoma me defekte dhe me të meta të mëdha. Licencimi i tyre është bërë legjendë… Nuk plotësojnë dot kriteret e FIFA-s dhe të UEFA-s. Dhe janë shumë të tilla, për fat të keq. Diskutohen rrogat e lojtarëve dhe të stafit, borxhe dhe vetëm borxhe… Ja, kjo situatë është pasqyrë e mënyrës se si janë menaxhuar klubet tona deri tani. Por, ndërkohë, shihni se çfarë ndodh në Kosovë…

A po na parakalon Kosova?

Mendoj që po.

Pse?

Shikoni, në Kosovë ka gjithashtu probleme të mprehta, veçanërisht në infrastrukturë. Por, ama aty unë vërej se njerëzit që merren me sportin janë më të përgjegjshëm. Në të gjitha nivelet dhe në të gjitha hallkat. Nuk është se në Kosovë po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, por po bëjnë gjëra normale dhe me një plan të qartë.

Ne nuk po e bëjmë dot këtë, ndaj edhe tani përballemi me një situatë të tillë. Ne nuk kemi organizim fare. Punohet pa plan dhe pastaj kur mbërrijmë në pikën kritike përdorim dy shprehje: “E mirë, se këto gjëra ndodhin kudo në botë…” ose “Ne kemi infrastrukturë më të mirë, kemi ndërtuar tre stadiume…” Jo, mo jo, nuk ecet kështu.

Si mund të ndryshojë kjo?

Duhet miratimi i ligjit, që sporti të mund të thithë të ardhura dhe të mos diskutojë mbijetesën. Pas kësaj, duhen ide të reja, njerëz të rinj dhe menaxhim krejtësisht ndryshe. U bënë vite të tëra që shohim po të njëjtat fytyra, të njëjtin menaxhim dhe të njëjtat metoda.

Nëse bën vazhdimisht të njëjtën gjë, mos prit ndryshime… Ne akoma vazhdojmë të mendojmë se një njeri i vetëm mund të menaxhojë një klub të tërë ose një forcë ekonomike mund të përballojë të gjitha shpenzimet e një viti.

Vazhdojmë t’i besojmë një personi që është në krye dhe mendojmë se ai është më i dituri, më i miri, më i dituri, më i afti dhe ai mund t’i bëjë të gjitha. Kjo na bën të jemi kaq mbrapa.

Çfarë ju ka zhgënjyer më shumë kohët e fundit?

Më vjen keq për faktin se në vend të përmirësohemi, ne bëjmë hapa mbrapa. Gjithnjë me të njëjtat problematika. Jam i çuditur nga klubet që fituan trofe sezonin që shkoi, pasi pamë largime në masë të lojtarëve. Shumë e çuditshme, nuk arrij ta kuptoj. Pse një klub që fiton titullin apo Kupën duhet të bëjë kaq shumë largime?!

Në vend që ai klub të jetë më i organizuari, papritmas nuk bën asnjë dallim me të tjerët në këtë aspekt. Ne i shohim gjërat nga jashtë dhe krijojmë këto pritshmëri, por, me sa duket, pas fasadës së suksesit, ka gjëra të kalbura dhe gjëra të vjetra edhe në këto klube, prandaj edhe në tërësi nuk gjejnë qetësi.