Nga Endri ÇINARI
Aktivitet në sportin shkodran janë gjithmonë të shumta. Përjashtim nuk bën asnjë sport, ku çdo herë në qytetin tonë ka pasur organizime interesante. E tillë do jetë edhe ndeshja e ditës së dielë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Ku në një duel miqësor do jenë përballë KH Vllaznia dhe Universiteti i Sporteve “Luigj Gurakuqi”.
Një organizim për të nderuar më saktë figurën e një prej henbollistëve më të shquar shkodranë, Nikolin Karroca. I cili fatkeqësisht është ndarë nga jeta 4 vite më parë pas një infarkti. Dhe pikërisht një kupë e organizuar në nderimin e tij, do mbushë të dielën sportive për qytetarët dhe sportdashësit shkodranë.
Një nismë tashmë që vijon prej 4 vitesh, e iniciuar nga miqtë dhe kolegët e Nikos. Të cilët nuk harrojnë të kujtojnë ish-kolegun e tyre dhe një person që investoi për shumë vite për handballin shkodran. Jo vetëm si një sportist, por më pas edhe si një biznesmen apo donator. Që me pasionin e tij donte të mundësonte vazhdimësinë e këtij sporti në Shkodër.
Po ashtu për kontributin e tij të vyer në sportin e handballit dhe qytetin tonë, Nikolin Karroca në anketën e organizuar nga SK Vllaznia për 100 vjetor. Ai është vlerësuar si një nga hendbollistët më të mirë të shekullit. Prandaj edhe njëherë ditën e dielë ai do nderohet me kupën që mban emrin e tij, në ndeshjen mes KH Vllaznia dhe universitetit të sportit në Shkodër.