Në Mynih gjithçka është gati. Bajerni është përgatitur për të festuar sot pasdite titullin kampion në Buindesligë. Do të ishte titulli numër 34 në historinë e klubit rekordmen në Gjermani dhe do të ishte i veçantë, sepse do të arrihej në shtëpinë e Lajpcigut, një prej rivalëve më të urryer të bavarezëve.

Duke folur për ndeshjen kundër gjermano-lindorëve, trajneri i Bajernit, Vinsent Kompani (39) tha: “Unë personalisht nuk kam përgatitur ndonjë festë. Jam këtu për të përgatitur si duhet ndeshjen, për ta luajtur atë dhe për ta fituar”. Por, pavarësisht deklaratave me një ton të ulët nga tekniku i bavarezëve, në sfond, planifikimi i festës është tashmë në kulmin e tij!

UDHËTIMI SEKRET – Siç raporton “tz”, një shpërblim i veçantë është planifikuar tashmë për kampionatin. Nëse Bajerni i Munihut fiton trofeun sot pasdite në Lajpcig, skuadra do të fluturojë për në Ibiza me avion privat të dielën. Nga ana tjetër, tabloidi gjerman “BILD” ka mundur të konfirmojë planet e klubit bavarez. Sipas dy gazetave gjermane, profesionistët do të kalonin dy net në ishujt Baleare dhe më pas do të fillonin përgatitjet për ndeshjen e fundit në shtëpi të sezonit kundër Gladbah (10 maj, ora 18:30) të mërkurën e ardhshme.

Trajneri i Bajernit, Kompani nuk ka dashur të përmendë asnjë festë publiuke apo sekrete, por ai është fort në dijeni të gjithçkaje. Të paktën kështu pretendon “Bild”. Sipas tabloidit gjerman, trajneri Kompani kishte njoftuar brenda ekipit gjatë javës se do të kishte një pushim të shkurtër special si shpërblim për një titulli të mundshëm sot pasdite. Trajneri do t’u jepte lojtarëve ditë pushim të dielën, të hënën dhe të martën.

KRITIKAT – Mirëpo dalja e lajmeve të tilla nuk është pritur mirë në Gjermani. Bajerni vërtet e ka titullin në duar dhe vetëm ai mund ta humbasë. Por në Bundesligë janë një sërë skuadrash të tjera që garojnë për objektiva madhorë, një vend në Champions mbi të gjitha. Dhe “qejfet” e Bajernit mund të kushtëzojnë sezonin e të tjerëve. Pas Lajpcigut sot padite, kundërshtari i tyre i radhës është Borusia Gladbah. Klubi nga Nord-Rain Vestfalen është ende plotësisht në luftën për Evropën dhe rivalët e tyre sigurisht që nuk do të ishin të lumtur nëse Bajern do të “toleronte” dhe do të linte pikë pasi të ketë “vuajtur” në Ibiza… /panorama sport

© SYRI.net