Vllaznia e futbollit por edhe e sporteve të tjera, pak ka patur mbështetje nga pushtetarët lokalë para viteve ’90. Ata ose nuk kishin forcën e duhur për ta bërë këtë gjë, në raport me Partizanin apo Dinamon, ose nuk dinin.

Për ta vërtetuar këtë të fundit, sot po ju sjellim një histori shumë interesante të cilën e ka bërë të ditur për
gazetën “Shkodra Sport” ish- futbollisti i Vllaznisë Roland Luçi.

Ka ndodhur një ditë para ndeshjes Vllaznia- Gloria Bistrica e Rumanisë, ndeshje kjo e vlefshme për Kupën Ballkanike
dhe që do të luhej në stadiumin “Vojo Kushi” të Shkodrës më 25 shkurt të vitit 1986.

“Njeriu që drejtonte jetën publike në ato vite në Shkodër, kuptohet edhe futbollin, ishte Muho Asllani. Ai nuk kishte aspak dëshirë e forcë për të na ndihmuar. Nuk më siguroi udhëtimin drejt Finlandës me ekipin sepse doja të operohesha në gju atje, por në fakt me këtë person kam edhe një histori interesante.

“Do të luanim me ekipin Gloria Bistrica në Shkodër një ndeshje të Kupës Ballkanike dhe ekipi i Vllaznisë ishte i grumbulluar në Turizëm. Muhoja erdhi në grumbullim tek ekipi dhe kur doli para meje, mu drejtua me këto fjalë: Shiko Roland më tha dhe po shikonte gishtat, por duket se iu dukën shumë dhjetë gishta dhe më tha: Unë dua nga ti të paktën 5 gola”! I dukeshin golat mesa duket diçka e lehtë, por kjo tregonte se ata nuk ia kishin idenë se për çfarë bëhej fjalë. Nga këta njerëz është drejtuar Shqipëria, Shkodra, është drejtuar edhe futbolli”.

Luçi në fakt jo vetëm që nuk shënoi 5 gola në ndeshjen e një dite më pas, por asnjëri nga 22 futbollistët e të dy ekipeve nuk shënoi sepse takimi u mbyll në barazim pa gola, 0-0.
Gjergj KOLA