Bashkia Shkodër do të nisë më në fund procedurat e shitjes së aksioneve të Klubit të Futbollit Vllaznia. Vendimi do të merret në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet ditën e hënë më 14 korrik.

Një nga pikat e rendit të ditës është pikërisht kjo çështje, nxjerrja në shitje e 60 për qind të aksioneve të këtij klubi. Njëkohësisht do të bëhet edhe miratimi i rregjistrimit të stemës dhe logos së klubit për të bërë vlerësimin e saktë të vlerës së klubit. Në fakt, ende asnjë biznesmen nuk është shprehur hapur për dëshirën e blerjes së aksioneve të Vllaznisë, kjo edhe ngaqë një procedurë e tillë duket disi e komplikuar ngaqë shitja e aksioneve bëhet vetëm përmes Ministrisë së Ekonomisë. Kjo e fundit,pasi të ketë marrë vendimin e Këshillit Bashkiak, do të marrë edhe bilancin e klubit për vitin e fundit dhe në bazë të saj do të bëjë vlerësimin e aksioneve. Gjatë një periudhe që ajo do të vërë në dispozicion të njerëzve të interesuar për blerjen e aksioneve, pritet shfaqja e interesit nga biznesmenët dhe nëse nuk ka një interes të tillë, atëherë do të bëhet ulja e vlerës së aksioneve. Procedura duket e gjatë megjithatë e rëndësishme është që ajo do nisë për të menduar për zgjidhje ndryshe të situatës së Vllaznisë. Po ditën e hënë pritet edhe miratimi i një shumë prej 150 milionë lekësh të vjetra si shtim kapitali i shoqërisë aksioneve, fond me të cilin do të nisë edhe puna për sezonin e ri futbollistik. Skuadra duket disi e vonuar megjithatë duhet shpejtuar puna në mënyrë që të gjendet trajneri dhe futbollistët që do të përfaqësojnë Vllazninë.