Miratimi në Këshill Bashkiak i draft- marrëveshjes për kalimin e klubit të futbollit Vllaznia në administrimin e kompanisë zviceriane “Gea Sport”, ka qenë vetëm hapi i parë i nisjes së punës për klubin shkodran. Hapat e tjerë pritet të hidhen në ditët në vazhdim. Ajo që pritet është firmosja zyrtare e kontratës së bashkëpunimit në mes kryebashkiakut Lorenc Luka dhe presidentit të kësaj kompanie Roberto Nava. Megjithatë ky i fundit bashkë me stafin e tij ka bërë gati të gjithë strukturën drejtuesve të klubit.

Në fakt fillimisht u mendua se klubi do të drejtohej nga dy administratorë por sot kjo gjë ka rënë poshtë. Do ketë vetëm një administrator dhe ky do të jetë përfaqësuesi i kompanisë zviceriane Ardian Grabova. Në kushte të tilla, ende nuk dihet se cili do jetë pozicioni i ardhshëm në klub për Fatos Gjyrezin. Do ketë dy zëvendëspresidenta, një i “Gea Sport” dhe një i propozuar nga Bashkia Shkodër. Do ketë një këshill administrativ të përbërë nga 5 anëtarë, dy prej të cilëve janë të propozuar nga Bashkia dhe tre nga kompania zviceriane. Përpos kësaj, Armir Grima do të ketë tani e tutje postin e shefit të klubit, do ketë edhe një menaxher skuadre që do zgjidhet nga pala zviceriane. Në postin e drejtorit teknik do jetë Xhovani Orlando, një emër i njohur i futbollit italian ndërsa drejtor sportiv pritet të jetë Alesandro Grigoleto. Sa i takon trajnerit ende mbetet për t’u parë se kush do jetë sepse do shihen shumë kandidatura. Pjesa tjetër e stafit pritet të jetë shkodranë. “Gea Sport” ka menduar edhe për Akademinë teksa ka përzgjedhur tre emra në rolin e mbikëqyrësve të talenteve të saj dhe ato janë Antonio Espozito, Xhovani Picozi dhe Davide Beloti.  Gjërat kësisoj duket se kanë formë dhe pritet vetëm firmosja zyrtare e kontratës së bashkëpunimit për të nisur nga puna. Pikërisht për këtë, nesër mendohet që të mbërrijnë në Shkodër tre përfaqësues të kompanisë zviceriane për të biseduar për kushtet e kontratës dhe për ta bërë gati firmosjen e saj. Në fakt skuadra pret. Ajo duket e vonuar në të gjitha përgatitjet e saj dhe deri në fund të kësaj jave duhet të marrin zgjidhje shumë gjëra.

www.shkodrasport.com