Bayern Munich do të duhet të përballet me Eintracht Frankfurtin këtë vikend duke mos llogaritur në shërbimet e Jamal Musialas. Para duelit të së dielës, Bayerni ka pësuar një goditje të rëndë pasi Musiala nuk do të jetë i gatshëm që të luajë shkaku i lëndimit.

Klubi ka zbuluar se ylli gjerman ka probleme me një lëndim në ijë dhe do të mbetet jashtë fushave për një kohë të pacaktuar. Musiala gjithashtu është tërhequr edhe nga grumbullimi i Gjermanisë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Bosnjës dhe Holandës.

Për ta zëvendësuar atë, përzgjedhësi Julian Nagelsmann ka vendosur që ta ftojë sulmuesin e Stuttgartit, Jamie Leweling. Ky lëndim ishte një lajm shumë i keq për Bayernin teksa bavarezët po synojnë që t’u rikthehen fitoreve pasi pësuan humbjen e parë të sezonit ndaj Aston Villës të mërkurën.

21-vjeçari pati një fillim të shkëlqyer të sezonit duke shënuar tri gola dhe duke bërë po aq asistime në tetë paraqitje në të gjitha garat.
Këtë lëndim Musiala besohet ta ketë pësuar në ndeshjen e vikendit të kaluar ndaj Bayer Leverkusen, gjë e cila e detyroi atë ta niste ndeshjen ndaj Aston Villës nga banka rezervë./Telegrafi/