Kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj e quan me shumë vlera fitoren kundër Egnatias, kampione në fuqi. Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë dhe i kampionatit, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se kërkon që të jetë sërish në ndihmë të ekipit me lojën dhe me golat e tij. Ai është optimist që Vllaznia do ta ruajë këtë vazhdimësi edhe në përballjen kundër Teutës.balajBekim, sa e rëndësishme ishte fitorja kundër Egnatias?

Normalisht që ishte një fitore e rëndësishme, pasi vinte përballë një skuadre si Egnatia dhe pas humbjes me Skënderbeun. Ajo humbje na la një shije të hidhur, por ekipi diti të reagojë ndaj Egnatias dhe treguam se jemi të gatshëm për të bërë më të mirën. Ishte gjithçka e merituar nga ana jonë.

Katër javët e para po tregojnë se të gjitha ekipet kanë luhatje, mendoni se te Vllaznia gjërat po stabilizohen?

Edhe për ne fillimi i sezonit nuk ka qenë i lehtë, pasi edhe ekipi ka pasur dëmtime. Shpresoj shumë se me rikthimin e lojtarëve të munguar, skuadra do të kompletohet më tepër dhe do të bëjmë më mirë si skuadër. Pavarësisht se deri tani kemi bërë mirë, mund të bëjmë edhe më mirë. Rikuperimi i lojtarëve do të rrisë konkurrencën dhe kjo do të sjellë rezultatet.