Partizani dikur afron te lojtarë me cilësi, i largoi në mënyra të ndryshme dhe më pas nuk arriti t’i zëvendësojë. Kjo është panorama e një apo dy viteve të fundit në ekipin e kuq, ku nëse cilësia do të duhej të rritej, ka ndodhur e kundërta.
Mjafton të kujtojmë emra si Matondo, Zhunior, Skuka, Bitri apo Belica, të cilëve u ndjehet mungesa në mënyrë “të etur”. Le t’i analizojmë me reparte dhe të bëjmë disa krahasime të nevojshme.
MBROJTJA – Bitri dhe Belica luajtën së bashku sezonin e fundit në sezonin 2021-2022. Sa ishin ata të dy, Partizani e kishte mendjen e fjetur në qendër të difensivës. Që nga largimi i kësaj dysheje, Partizani ka dështuar në seri, duke humbur edhe qindra mijëra euro për t’i zëvendësuar, por pa ia dalë dot.
Kujtojmë ardhjen e Jozef Menish, lojtar mesatar, pa cilësinë dhe lidershipin e Belicës. Akoma më keq Koçijan dhe Mikuliç, lojtarë me paga të majme, por me zero kontribut në fushë. Pas dështimeve të njëpasnjëshme, dyshen e qendrës së mbrojtjes u detyruan ta zëvendësojnë me Sotën apo Sembene, tek të cilët besimi dikur mungonte, por klubi mbeti pa zgjidhje të tjera.
MESFUSHA – Ky repart ka qenë mjaft stabël në këto vite, ku baza ka qenë Murataj dhe Rrapaj. Por lojtari më i mirë dhe që bëri diferencën në kampionatin tonë mund të konsiderohet Matondo. Pas ikjes së tij në verën e kaluar, Partizani luajti pa një “ekran” para mbrojtjes. Gjithsesi, gjeti brenda familjes cilësitë e Maget, të cilin e kishte “kyçur” në stol prej dy vitesh.
Engjëll Hoti ishte gjithashtu një lojtar, që bëri diferencën me fantazinë e tij në mesfushë dhe njihte shumë mirë portën. Partizani nuk e ka një ai dhe po e vuan shumë mungesën e një lojtari krijues në metrat e fundit. Tashmë u largua Murataj dhe në ditët në vijim do të ikë Maget. Mbetet të shihet nëse kjo dyshe do të zëvendësohen apo jo.
SULMI – E mbani mend Stenio Zhuniorin? Braziliani për Partizanin aktual do të ishte një luks. Luante kudo në sulm dhe dominonte kundërshtarët. Të kuqtë u munduan ta zëvendësojnë me Da Silvën, ja dolën deri diku, por ekipi i sotëm nuk ka asnjërin nga të dy. Te Partizani nuk ka më “samba”. Të mos harrojmë Skukën. Dibrani njihet për aftësitë e tij finalizuese.
U kthye në janar, por nuk u preferua shumë. Bintsuka dhe Mba, i blerë afro 150 mijë euro, nuk e mbulojnë dot boshllëkun e lënë nga “snajperi” dibran. Një numër kaq i madh lojtarësh cilësorë të larguar në dy vitet e fundit, me klubin, që nuk ka ditur të gjejë pasuesin e thuajse asnjërit prej tyre. Cilësia sa vjen e ulet, por objektivat sa vijnë e zmadhohen.