Regont Murati u bë futbollisti i parë me origjinë shqiptare, që arriti të debutonte në kompeticionin më të shtrenjtë të momentit, atë të Botërorit të Klubeve, që është duke u zhvilluar në SHBA.
Mbrojtësi 29-vjeçar, i lindur në Pejë, u aktivizua titullar me skuadrën nga Zelanda e Re, Okland Siti, në duelin ndaj Bajernit të Mynihut, që u fitua nga gjermanët me rezultatin 10 me 0.
Murati qëndroi në fushë gjatë gjithë përballjes, teksa në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, tregon se familja e tij emigroi në Zelandën e Re, gjatë luftës në Kosovë, kur Regonti ishte vetëm 3 vjet.
Ai nuk e fsheh ndjenjën e krenarisë për origjinën e tij, teksa ndan edhe disa detaje interesante nga dueli special me gjigantët e Bajernit, ku djaloshi shqiptar tregon se përjetoi ndër emocionet më të forta të karrierës. Duke qenë një futbollist gjysëm-profesionist, Regonti gjithashtu tregon edhe për punën që bën në Zelandën e Re. Në fundin e sfidës ndaj Bajernit, mbrojtësi shqiptar arriti të shkëmbente fanellën me Serxh Gnabrin, teksa nuk mund të mungonte dhe një koment për përballjen Shqipëri-Serbi…
Përshëndetje Regont, prej sa vitesh keni emigruar në Zelandën e Re dhe si u bëtë pjesë e klubit të futbollit Okland Siti?
Unë erdha në Zelandën e Re kur isha 3 vjeç, plot 26 vjet më parë kur po ndodhte lufta, unë dhe familja ime u zhvendosëm Zelandën e Re. Jam pjesë Okland Sitit prej 3 vitesh e gjysëm. U transferoma pasi pata një sezon të mirë në klubin rival Okland Junajtid dhe kam qenë i bekuar që kam marrë pjesë në disa turne të mrekullueshme që atëherë.
Së bashku me Kristjan Asllanin e Interit dhe Adrian Bajramin e Benfikës, ju jeni 3 futbollistët që përfaqësojnë kombin shqiptar në Kupën e Botës për Klube, a ju bën krenar ky fakt?
Realisht më bën shumë krenar! E thashë dhe në një intervistë tjetër se jam i lumtur që kombet tona po marrin përfaqësimin në futboll sepse mendoj personalisht kohët e fundit, veçanërisht në futboll, kemi treguar se çfarë mund të bëjmë në nivelin më të lartë me lojtarët tanë që luajnë në ekipet më të mira dhe garojnë në turnetë më të lartë në Europë. Jam i bekuar që jam nga Kosova dhe përfaqësoj kulturën time duke qenë shqiptar. E di që nuk jemi të parët dhe as të fundit që përfaqësojnë kombin tonë në nivelin më të lartë.
A i jeni përkushtuar plotësisht futbollit apo punoni paralelisht? Cili është profesioni juaj?
Jo, jam gjysmë-profesionist/amator. Paguhem, por minimumi im i jetesës është përmes punës sime ditore si nëpunës në një kompani logjistike të kontejnerëve të transporit të prodhimeve të mishit dhe ushqimeve të tjera.
Si e përjetuat emocionalisht ndeshjen kundër Bajernit, në një kompeticion kaq madhor si Kupa e Botës për Klube?
Përjetova shumë emocione të forta si gjatë ndeshjes, por edhe para dhe pas saj. Ndihem shumë i bekuar dhe mirënjohës që kalova kohë në fushë duke garuar me ekipin dhe lojtarët më të mirë. Rezultati është diçka për të cilën nuk jam i lumtur, por nga ana tjetër, ne u përballëm me një nga ekipet më të mira në botë. E përsëri jam i lumtur. Shpresoj se i kam bërë krenarë familjen, miqtë, kombin dhe kulturën time dhe të gjithë njerëzit përreth meje.
A e ndërruat fanellën me ndonjë lojtar të Bajernit?
Po, e kam marrë të Serxh Gnabrit, po e markoja në fund të ndeshjes, kështu që e pyeta kur mbaroi ndeshja dhe ma dha.
A ishte ajo ndeshje kundër Bajernit momenti më emocionues në karrierën tuaj futbollistike? A ka ndonjë detaj interesant nga kjo ndeshje që mund ta ndani me tifozët shqiptarë? A patët mundësinë të komunikonit me ndonjë nga futbollistët?
Patjetër, nuk jam i sigurt nëse ndonjë gjë tjetër do ta tejkalojë emocionet e përjetuara gjatë përballjes me Bajernin. Detaji më i bukur për mua ishte se kishte tifozë shqiptarë në stadium që bërtisnin emrin tim duke thënë “kthehuni nëse jeni shqiptar” në shqip. Dhe unë u ktheva dhe ata buzëqeshën dhe më brohoritën. Një diçka tepër emocionuese për mua, dua t’i përshëndes ata tifozët shqiptarë që më mbështetën në stadium! Nuk fola shumë me lojtarët e tjerë gjatë ndeshjes dhe gjithçka duket se kalon kaq shpejt.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Kosovën dhe Shqipërinë? A e ndiqni Kombëtaren e Shqipërisë?
Marrëdhënie shumë pozitive, kam familjarë dhe të afërm në shtëpinë time në Pejë, e vizitoj pothuajse çdo vit vendlindjen time, kam qenë në Shqipëri, para së gjithash jam shqiptar, e dua kombin dhe kulturën time. E pashë ndeshjen e fundit kundër Serbisë, rezultati i së cilës ishte i pafat, mendova se mund të kishim marrë më shumë, ka disa lojtarë vërtet cilësorë në atë ekip!