Dy flamuj të ngulitur në zemrat e tifozëve të tyre përkatës, por prej vitesh jashtë klubeve, të cilëve zgjodhën t’iu betohen për besnikëri të përjetshme. Ky është paradoksi i Francesco Tottit dhe Alex Del Pieros, përkatësisht simboleve të Romës dhe Juventusit, që dje morën pjesë në emisionin “10+10 SKY 20 vite”, së bashku me Federico Ferrin.

“Karriera jonë ka qenë paralele dhe ka pasur shumë gjëra të përbashkëta, – shpjegoi Del Piero. – Me kalimin e kohës, më shumë se rivalitet, është krijuar një bashkëpunim. Edhe pa folur shumë me njëri-tjetrin, lindi një afeksion mes nesh për vlerat sportive dhe njerëzore që mbartte tjetri. Njerëzit shpesh donin të na kundërvinin, por ne qeshnim për këtë, veçanërisht falë Francesco”.

Më tej, Del Piero shpjegoi se çfarë do të thotë të jesh kapiten në futboll: “Nuk ke asnjë minutë relaks në futboll, ju jeni gjithmonë kapiten, brenda dhe jashtë fushës. Duhet të bëni zgjedhje me të cilat nuk jeni dakord, por që e dini se janë zgjedhjet e duhura në atë moment. Është një kërkim i vazhdueshëm për zgjidhjen e problemeve”.

Frika e tërheqjes nag futbolli: “Unë mendoj se kur një lojtar largohet nga profesioni, nëse nuk përgatitet më përpara, nuk është gati të fillojë një jetë të dytë. Ne reflektojmë për atë që kemi bërë, për gabimet, se si të përmirësohemi dhe më pas e gjejmë veten duke vendosur. Është një proces që mund të zgjasë 6 muaj ose 10 vite, por pasi të keni marrë vendimin, keni vullnetin për të marrë pjesë në cdo gjë. Jo për të vendosur për cdo gjë, por një figurë si e tij (Francesco) duhej të përfshihej në gjithçka. Ai përfaqëson Romën, ka përgjegjësinë të dijë gjithçka, përndryshe nuk mund të jetë në pozicionin më të mirë për të mbrojtur ngjyrat, për të mbështetur vendimet e klubit dhe për të krijuar një skuadër”.

Një gjykim mbi numrat 10 të kohës së tij dhe të sotmes në futboll: “Numrat 10 duket se janë jashtë ekipit, në brezat e kaluar nuk duhej të vraponin, por bënin vetëm asiste dhe gola. Nga ana tjetër, brezit tonë iu desh të vraponte si një numër 8 ose 4, t’i jepte dorën pjesës tjetër të ekipit, por në fund edhe shënonte gola. Mësuam nga sakrificat që bëmë, nga dëmtimet që kemi pësuar, nga dështimet tona në garë, nga disfatat, nga penalltitë e humbura, nga sharjet. Një person nuk mund të bëjë gjithçka. Ne bashkëpunojmë, për skuadrën”.

Karriera me Juventusin: “Në ato 20 vite ne bëmë gjithçka, fituam gjërat më të pamundura dhe më të bukura, deri në atë që ndodhi në vitin 2006, që përveç Botërorit ishte një vit tragjik për ne, me rënien në Serie B. Jetët e tifozëve dhe lojtarëve në një moment të caktuar bashkohen, kur njerëz si unë, Totti, Maldini apo Zanetti, kalojnë shumë kohë në një ekip. Mendoj se ai moment ishte vetëm kulmi dhe përmbledhja e atyre 19 viteve, në të cilat u rritëm së bashku”.

Në fund, një vlerësim për Paolo Maldinin, që kësaj vere u largua nag drejtimi i Milanit: “Paolo Maldini ka treguar si menaxher se është fitues. Një nga çelësat e suksesit të Milanit vitin e kaluar ishte sigurisht prania e tij brenda një ekipi. Sot futbolli nuk është si kur e filluam ne, ka nevojë për shumë njerëz, një organizim ndryshe dhe për këtë arsye duhet t’i vendosim pjesët në vendin e duhur. Maldini ka treguar se është fitues edhe si menaxher. Më vjen shumë keq për Paolo, sepse kur mendoj për Milanin, mendoj për Paolo Maldinin. E njëjta gjë për Tottin, që është vetë Roma”./telesport/