Historia e mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare është shkruar edhe prej tij. Sepse ka qenë një nga sportistët më të suksesshëm të historisë, një nga mundësit që është shquar për klasin dhe nivelin e tij të lartë. E kemi fjalën për Paulin Sterkajn, mundësin që sot ka ditëlindjen.

Ai feston 62 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë këtij kampioni të madh edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Po kush është Paulin Sterkaj? Biografinë e tij sportive, e ka bërë enkas për “Shkodra Sport” ish- trajneri i tij Bajram Agovi, i cili ka përshkruar të gjithë rrugëtimin e tij në këtë sport, nga dita e parë dhe deri tek e fundit, biografi që mund ta ndiqni më poshtë:

Ka lindur më 5 korrik 1961. Fillon të merret me mundje në moshën 15 vjeçare, pikërisht në vitin 1976 kur rregjistrohet tek ekipi I të rinjve të Vllaznisë me trajner Sul Ramen.

Në kampionatin kombëtar për të rinj zhvilluar në tetor të vitit 1977, konkurron në peshën e pestë duke u shpallur kampion kombëtar për të rinj dhe bën një paraqitje shumë të mirë duke treguar menjëherë se do të kishte shumë të ardhme në këtë sport.

Në vitet 1978-1979 aktivizohet me të rriturit e Vllaznisë me trajner Naim Pepën duke zhvilluar ndeshje shumë të bukura.

Në Kupën e Republikës zhvilluar në Durrës në maj të vitit 1980, konkurron në peshën e gjashtë, atë deri 74 kg dhe zhvillon ndeshje shumë të bukura dhe me cilësi duke zënë dhe vendin e parë.

Në finalet e kampionatit kombëtar individual të zhvilluara në dhjetor të vitit 1980 në Vlorë, konkurron në peshën e gjashtë atë deri 74 kg dhe dominon mbi gjithë kundërshtarët e tij dhe shpallet për herë të parë kampion kombëtar.

Në vitin 1981 kalon tek ekipi I Partizanit sepse thirret të kryejë shërbimin ushtarak dhe sukseset e tij do të vazhdonin edhe me të.

Në finalet e Kupës së Republikës të vitit 1981, konkurron në peshën e gjashtë dhe zë vend të parë duke u shpallur fitues I kupës. Ky ishte trofeu I tij I dytë në Kupë dhe I pari me fanellën e Partizanit.

Në finalet e kampionatit kombëtar individual të vitit 1981, zhvilluar në Tiranë, I fiton të gjitha ndeshjet dhe shpallet për herë të dytë rradhazi kampion I Shqipërisë, e para herë për Partizanin.

Në finalet e Kupës së Republikës zhvilluar në Peshkopi në qershor të vitit 1982, merr pjesë në peshën e shtatë, atë deri 82 kg duke zënë vendin e parë dhe shpallet fitues kupe duke përfaqësuar sërish Partizanin.

Në vitin 1983 rikthehet sërish te Vllaznia dhe në finalet e Kupës së Republikës të zhvilluara në muajin maj në Berat, konkurron në peshën e shtatë, deri 82 kg dhe zë vendin e parë duke u shpallur fitues kupe.

Në finalet e kampionatit kombëtar individual zhvilluar në nëntor të vitit 1983 në Vlorë, Sterkaj zë vendin e parë dhe shpallet kampion kombëtar duke përfaqësuar Vllazninë, ekip që në këtë periudhë kishte trajner Bajram Agovin.

Në finalet e Kupës së Republikës të vitit 1984, zhvilluar në muajin prill në Durrës, konkurron në peshën e tetë, atë deri 90 kg dhe zë vend të parë duke përfaqësuar Vllazninë.

Në finalet e kampionatit kombëtar individual të vitit 1984, zhvilluar po në Durrës, konkurron në peshën e shtatë, deri 82 kg, zë vendin e parë dhe shpallet kampion kombëtar duke përfaqësuar sërish Vllazninë.

Në finalet e Spartakiadë 5-të Kombtare zhvilluar në muajin tetor të vitit 1984 në Shkodër, Paulin Sterkaj konkurron në peshën e shtatë, atë deri 82 kg dhe zë vendin e parë duke marrë medaljen e artë për ekipin e Vllaznisë.

Në garat e Kupës së Republikës zhvilluar në mars të vitit 1985 në Durrës, konkurron në peshën e tetë, atë deri 90 kg dhe zë vend të parë duke përfaqësuar ekipin e Vllaznisë.

Në finalet e Kupës së Republikës të vitit 1986, konkurron në peshën e tetë, atë deri 90 kg dhe zë vend të parë për Vllazninë.

Në garat e kampionatit kombëtar individual të zhvilluara në Shkodër në dhjetor të vitit 1986, konkurron përsëri në peshën -90 kg dhe zë vendin e parë duke u shpallur kampion kombëtar I kësaj peshe dhe përsëri për Vllazninë.

Në vitin 1987 do të bëhej pjesë e ekipit të Dinamos dhe në garat e kupës “Bashkimi” të zhvilluara në muajin mars në Tiranë zë vendin e dytë.

Në kampionati kombëtar ekipor, zhvilluar në muajin tetor në Shkodër, konkurron në peshën e nëntë, atë deri 100 kg duke u shpallur kampion me Dinamon.

Në garat e kampionatit kombëtar individual zhvilluar në muajin nëntor 1987, konkurron në peshën e tetë deri 90 kg dhe shpallet kampion kombëtar duke përfaqësuar Dinamon.

Në garat e kampionatit kombëtar individual të vitit 1988 zhvilluar në dhjetor në Vlorë, konkurron përsëri në peshën e tetë dhe shpallet kampion kombëtar me fanellën e Dinamos.

Në garat e kampionatit kombëtar ekipor zhvilluar në 26-28 tetor të vitit 1988 në Tiranë, konkurroi në peshën deri 90 kg dhe zuri vend të parë për ngjyrat e Dinamos.

Në Kupën e Republikës të vitit 1989 që u zhvilluan në muajin mars në Vlorë, konkurroi në peshën e tetë, deri 90 kg dhe zuri vendin e parë dhe u shpall fitues kupe, gjithnjë për Dinamon.

Në Kampionatin kombëtar ekipot dhe Kupën e Republikës të zhvilluar në maj të vitit 1989 në Peshkopi, konkurron në peshën e dhjetë, atë deri 100 kg dhe zë vendin e parë.

Në garat e kampionatit kombëtar individual për vitin 1989 zë vendin e parë dhe shpallet kampion për ekipin e Dinamos.Në Kupën e Republikës zhvilluar në maj të vitit 1990 në Berat, konkurron në peshën e dhjetë, atë mbi 100 kg dhe fiton vendin e parë për Dinamon.

Në garat e kampionatit kombëtar individual zhvilluar në dhjetor 1990, konkurron në peshën e dhjetë dhe zë vendin e dytë.

Këtu do të mbyllet edhe karriera sportive e mundësit Paulin Sterkaj, një sportist shumë I përgatitur, si nga ana fizike ashtu edhe tekniko- taktike. Një talent I rrallë, mjeshtër I tapetit dhe një mundës që realizonte kapje të cilësisë së lartë. Me të drejtë është shpallur ednjë nga mundësit e shekullit të Sk Vllaznia, madje është I tillë edhe në shkallë kombëtare.

Paulin Sterkaj fillimisht ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”, më pas “Mjeshtër I Merituar Sporti”, “Nderi I mundjes shqiptare” dhe “Mjeshtër I Madh”. Ai ka zhvilluar edhe shumë takime ndërkombëtare ku ka arritur edhe shumë fitore dhe ka zënë edhe vende nderi me ekipin tonë kombëtar.
Gjergj KOLA