Ylli argjentinas i Benficas, Angel Di Maria është në rrugë të mbarë për t’u bërë asistuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve.
Benfica fitoi me rezultat 3-2 ndaj Monacos në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të mërkurën mbrëma.
Në këtë ndeshje, anësori i Benficas, Di Maria bëri dy asistime, duke e çuar totalin e tij në 41 asistime në garën elitare të klubeve evropiane.
Me këto dy asistime, Di Maria kaloi Lionel Messin, i cili ka 40 asistime dhe tani është vetëm një asistim larg për ta thyer rekordin e Cristiano Ronaldos, i cili ka 42 asistime.
Në pozitën e katërt renditet Neymar me 33 asistime, i pasuar nga Ryan Giggs i pesti me 31 asistime, Xavi Herandez dhe Thomas Muller me nga 30 asistime dhe Karim Benzema, Andres Iniesta dhe Kevin de Bruyne që mbyllin ‘top 10’ me nga 29 asistime.
Ndryshe, këtë sezon, Di Maria ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 5 asistime në 16 ndeshje për klubin portugez, duke konfirmuar formën e lartë që po kalon. /Telegrafi/