Opinion nga BESNIK DIZDARI

Vetvetiu lamtumira e parakohshme këso jete e një sportisti të madh si Din Zhega, të shtyn te përmbledhja e biografisë së jetës së tij. E, të shtyn edhe te diçka tjetër: te portreti njerëzor i tij, që natyrisht nuk mund të ndahet prej gjithçka tjetër të jetës së tij të pasur në shërbim të sportit kombëtar. Kisha me thanë, se midis sportistëve më të shquar të Shqipërisë, si rrallë te dikush tjetër si te Din Zhega ngjet që njeriu dhe sportisti, karakteri njerëzor dhe portreti i futbollistit, veprimtari shoqëror dhe trajneri, intelektuali dhe tekniku i shquar i futbollit, të bashkohen ose të shkrihen kësisoji në një.
E kam njohur thuajse qysh fëmijë dhe e kam ndjekur deri më sot me gjithë dramën e tij të dhimbshme. Për fatalitetin e jetës duke më mbetur në kujtesë fytyra e tij e kohëve të fundit, më e vështira e tij, që çuditërisht ishte po ajo. E ndërsa unë mundohesha të buzëqeshja për të paraqitë optimiste edhe atë që me aq vështirësi mund të paraqitej e tillë, dy lot që i rrëshqitën nga sytë iu përzien edhe atij me një buzëqeshje, shprehje kuptimplote që zëvendësonte fjalët që nuk mund të dilnin më prej buzëve të tij…
Se çka përfaqëson Din Zhega dhe jeta e tij, duhet të shtyhesh te plot 50 vjet më parë, te viti 1962-63, kur një djalë simpatik, shtatlartë, por i një fiziku ende disi të brishtë, shfaqej me Vllazninë e të rriturve dhe qysh ditën e parë tërhiqte një publik të tanë. Din Zhegën Shkodra e ka njohur qysh fëmijë dhe qysh ditën e parë ka qenë e bindur se kishte të bënte me një talent të madh. Askush nuk mund të parashikonte megjithatë, se këtë talent, djaloshi do ta mveshte me një cilësi aq të çmueshme njerëzore: me punën titanike të tij për t’u bërë ai që u bë: kampioni i madh dhe i hijshëm i Shqipërisë, protagonisti i Kombëtares, trajneri i saj i shquar. Madje deri në protagonizmin e mbrëmjes së paharrueshme të Leverkusenit 2001, kur ndërsa shiu ia lagte fytyrën, ai qëndronte si një stoik përballë Gjermanisë së “tij” – se atë kulturë u përpoq të përftonte gjithnjë – në një sfidë të pashembullt, tash si trajner në një 1-2 dramatik të pashlyeshëm…
Kjo ishte hera e dytë që ai sfidonte një Gjermani mbasi me shokët e tij e kishte sfiduar duke qenë një herë tjetër (1967) drejtpërdrejt në fushën e lojës si pjesë e një 11-shi shqiptar që me 0-0 n historik do të trondiste gjithë mjedisin evropian të futbollit. Gjithçka ishte si një akt i dytë i dramës verirlandeze të para dy vjetëve (1965) kur Din Zhega prapë shfaqej përtej protagonistit me golin e tij kundër mitikut George Best e bashkëlojtarëve të tij të Mançester Junajtid…
Ngjarjet e tij të rralla sot janë çuditërisht jubilare. Nëse debutimi në fushën e blertë i përket 50 vjetëve më parë, Gjermania ’67 është e 45 vjetëve më parë. Dhe ndahet nga jeta në kulmin e një Kampionati Evropian, të cilin jonjëherë e gjykoi sa me shkrime të një stili po aq dhe me komente të përkujtueshme në TV e radio. Qe rrëmbyer shpejt prej Dinamos dhe kthimi i tij më 1969 në Shkodër nuk ka qenë një ngjarje, ka qenë shumë më tepër se kaq. Brezi i ri i sotëm që ndjek me kaq pasion qoftë dhe një Kampionat Evropian si ky që po zhvillohet, nuk mund të arrijë të kuptojë se çdo të thoshte që në vitin 1969, të kthehej në Shkodër futbollisti Din Zhega. Po ngushtohemi duke thënë se ai kthim ka qenë kthimi i gëzimit të një populli të tërë një qyteti, kthimi te futbolli i vërtetë i Shkodrës për te kthesa sa historike po aq dhe e madhe gjeopolitike e vetë futbollit shqiptar të jashtëkryeqytetit. Mbas 24 muajve kur do të rikthehej edhe Sabah Bizi, do të formohej treshja që ka mbetur unikale në historinë e fubollit shqiptar: R.Ragami – Zhega – Bizi! Çka në shkrirjen trajner-lojtar nuk do të ndalte e pakta deri te shtatori i vitit 1978, kur Vllaznisë së Din Zhegës tashmë 32 vjeçar, do t’i takonte t’i thoshte Evropës se futbolli i një vendi të vogël si Shqipëria, kërkonte të thyente izolimin e pamëshirshëm prej 6 vjetësh. Ishte 2- 0 Vllaznia e Shkodrës – Austria e Vjenës (thuajse Kombëtarja danubiane asokohe në tetëshe të Botës). Për ne epokë! Kjo është mbyllja kontinentale e futbollit të Din Zhegës, i cili mbas pak do të shndërrohej në trajnerin modern Din Zhega – pjesë deri te Kombëtarja e famshme po për ne, Kombëtarja e Shyqyri Rrelit dhe e Din Zhegës së viteve ’80. Polonia, Belgjika, Bonjeku, Shifo…
Do të ishte trajneri i cili do t’i jepte Kombëtares një Kupë ndërkombëtare mbas plot 54 vjetëve (“Rothmans” 2000) – e vetme sot e kësaj dite! Dhe po vetvetiu, padashur shkon aty ku në kësi shkrimesh ndoshta nuk duhet shkuar, te biografia e jetës së tij: te Din Zhega njeriu dhe sportisti, te karakteri njerëzor dhe portreti i futbollistit, te veprimtari shoqëror dhe trajneri, tek intelektuali dhe tekniku i shquar i futbollit e deri te deputeti i Shqipërisë. Dhe të gjitha këto të bashkuara në një të vetme: në personalitetin fisnik njerëzor të këtij protagonisti të paharrueshëm. Përveçse një universitar dhe një intelektual i sporteve, apo dhe si trajneri i shkollës së famshme të Lindabrunit austriak, si aktor i pashlyeshëm i fushës së blertë, Din Zhega qe një artist futbolli. Qe ndër të rrallët te i cili nëse fitorja e rëndësishme sportive nuk mvishej me art, atë nuk e gëzonte fort. Padroni i tij qe përherë publiku, të cilit me interpretimin e tij krejt origjinal, ai i nënshtrohej prapë në mënyrën më njerëzore të mundshme. Eleganca e lojës së tij e mbështetur në një forcë dhe atletizëm çka ai ia mëkoi vetes me konceptin modern të motos “stërvitja mbi gjithçka” – e këtë ia kërkonte më mbas përherë atyre që i stërviti si pakkush – ka qenë padyshim ndër të rrallat në Shqipëri. Koreografia e futbollit të tij, prapë kishte aq fort prej artit. Në një farë mënyre, ai përfaqësonte një dukuri, një rrymë, një ecuri që në vite kërkoi ta ndriçonte futbollin shqiptar të kohës moderne edhe përballë të mëdhenjve. Ky prind dhe bashkëshort shembullor, me modestinë e tij të rrallë, mbeti ndërkaq, gjithnjë midis njerëzve, midis publikut, brenda e jashtë fushës, në tribuna e jashtë tyre, rrugëve të qytetit, me buzëqeshjen e tij të sinqertë dhe plot kryeultësi, teksa dëgjonte në qetësi sa lavdërimet por po aq dhe kritikat. Mbeti me buzëqeshjen e tij që u mundua ta shpaloste edhe në dit[ më të vështira të jetës së tij, teksa i rrëshqitën dy pika lot të dhimbjes së natyrshme njerëzore…
E ka vendin e Nderit në Panteonin e sportit Shqiptar.