Me keqardhje të madhe, e ka pritur lajmin e largimit nga jeta të kolegut, shokut dhe mikut të tij të mirë edhe legjenda e portës shkodrane Paulin Ndoja. Duke folur për gazetën online shkodrasport.com, ai do të evidentonte shpejt e shpejt disa nga karakteristikat e Medin Zhegës që e bënë atë të ishte jo më kot i vlerësuar në maksimum nga të gjithë. Paulini flet dhe trupi i tij i rënqethet herëpashere. Do ta ndjejë mungesën e kolegut të tij. “Ndjej keqardhje për largiminnga jeta para kohe të mikut tim të shtrenjtë Din Zhega. Ai nuk ka qenë vetëm koleg i imi. Jemi rritur bashkë. Madje po ju them edhe një kuriozitet: Kemi vetëm 42 ditë diferencë me njëri-tjetrin.Dini ka qenë një lojtar brilant dhe tepër virtuoz, por më tepër ishte një njeri që duhej marrë si shembull. Me Dinin na lidhnin shumë gjëra. Ishim bashkë që ne moshë krejt të re në shtëpinë  e pionierit me Ernest Halepjanin e më vonë me shumë trajner të tjerë. Kemi qënë gjithmonë bashkë me ekipin e Vllaznisë, por edhe me atë përfaqësues. Jam ndjerë tejet I trishtuar kur kam marrë lajmin e vdekjes së tij. Me humbjen e tij, besoj se futbolli shqiptar ka humbur një pjesë të bukurisë së tij sepse njerëzit për shumë vite me rradhë, shkonin në stadium pikërisht për të parë Din Zhegën, Zan Rragamin e Sabah Bizin, sepse ishin këto lojtarë që i dhuronin kënaqësi atyre me golat, lojën dhe gjithçka tjetër në fushë. Unë dhe familja ime i shprehim ngushllimet më të sinqerta gruas dhe familjes së Dinit. Pushofsh në paq , miku im I shtrenjtë”-ka thënë Ndoja.
www.shkodrasport.com

Kater kolloset e futbollit shkodran, Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami dhe Paulin Ndoja