Nga Endri ÇINARI
Ersi Zaganjori, mesfushori i talentuar shkodran duket se shumë shpejt do zyrtarizojë skuadrën e re. 20-vjeçari që konfirmoi largimin nga Vllaznia para pak ditësh, me shumë mundësi do e vijojë karrierën në Superligën e futbollit në Kosovë. Sipas asaj çfarë mëson “Shkodra Sport”, dy janë skuadrat që kanë shprehur interes konkret në adresë të fantazistit.
Konkretisht bëhet fjalë për skuadrat e Llapit dhe Dukagjinit, që në edicionin 2025-26 do militojnë në elitën e futbollit kosovar. Për momentin nuk ka ende asgjë zyrtare, por e ardhmja e Zaganjorit duket se do jetë në Kosovë.
Në një ekip që edhe garanton minutat për 20-vjeçarin, i cili për këtë arsye kryesore nuk vendosi ta vijonte karrierën tek Vllaznia.
Megjithatë gjatë merkatos verore kemi parë shpesh surpriza dhe asnjë herë nuk është e sigurt rruga apo e ardhmja e një futbollisti. Që mund të ndryshojë destinacionin e tij në çdo moment të mundshëm, bazuar në ofertën më të mirë dhe konkrete që mund t’i paraqitet.