PSG duket gati për të shtuar një emër të madh në sulmin e tij; Mohamed Salah. Sipas asaj që raporton “L’Équipe”, sulmuesi egjiptian i Liverpool-it ka hapur derën për një transferim te klubi parizien, duke e bërë konkrete këtë mundësi, që po shqyrtohet me kujdes nga të dyja palët prej javësh.


Strategjia e PSG-së

Klubi parizien, besnik ndaj filozofisë së re menaxheriale të miratuar me ardhjen e Luis Enrique, synon të ndërtojë një ekip të balancuar, pa e tepruar me shpenzime të mëdha. Megjithatë, mundësia për të marrë Salah me parametër zero në fund të sezonit është rast që vështirë injorohet.

Presidenti i PSG-së, Nasser al-Khelaifi, mund të luajë një rol kyç në këtë marrëveshje. Al-Khelaifi e njeh personalisht Salah, falë bashkëpunimit me “beIN Sports”, ku egjiptiani ka marrë pjesë si komentator për publikun arab. Ky raport personal mund të favorizojë një marrëveshje mes palëve.


Situata e Salah te Liverpool-i

Me kontratën që i skadon në verë dhe të ardhmen gjithnjë e më të pasigurt, Salah duket se po largohet gradualisht nga “Anfield”. Pavarësisht deklaratave të fundit të dashurisë për Liverpool-in, lojtari ka lënë të kuptohet se e ardhmja e tij është ende e hapur.

Pas fitores 2-0 kundër Manchester City, egjiptiani deklaroi: “Anfield? Është një vend i veçantë, po e shijoj çdo minutë këtu. E ardhmja ime? Është në mendjen time. Për momentin mendoj vetëm për këtë sezon dhe për të fituar kampionatin. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.


Marrëveshja e mundshme në muajt e ardhshëm

Sipas “L’Équipe”, bisedimet mes Salah dhe PSG-së nuk janë të reja. Palët thuhet se kanë nisur negociatat prej kohësh dhe gatishmëria e treguar nga egjiptiani i bën optimistë parizienët. Qëllimi është arritja e marrëveshjes në muajt e ardhshëm, duke i garantuar PSG-së një përforcim të jashtëzakonshëm për sezonin e ardhshëm.

Nëse operacioni përfundon me sukses, Salah do të jetë një tjetër goditje e madhe për PSG-në, që vazhdon të tregojë aftësinë për të tërhequr yjet më të mirë të futbollit botëror./telesport/