Një lajm absolutisht tronditës është publikuar nga “Mundo Deportivo”. Sipas gazetës prestigjioze spanjolle, ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, ka firmosur dje në Wuhan një parakontratë me Paris Saint-Germain, e vlefshme për 10 sezonet e ardhshme.

Sulmuesi brazilian ka shfrytëzuar pushimet e tij të Krishtlindjeve për të fluturuar drejt Kinës me një avion privat, të vënë në dispozicion nga ish-futbollisti Luis Figo, ku ka firmosur marrëveshjen që e angazhon me klubin francez.

Sapo ka mësuar për interesimin e PSG-së, braziliani ka organizuar një fluturim me ndalesë teknike në Doha (Katar), ku delegacionit i është bashkuar edhe drejtori i përgjithshëm i parizienëve, Victoriano Melero, së bashku me një ekip juristësh dhe përkthyesish francezë për të lehtësuar operacionin.

Kjo ishte një dëshirë e shprehur nga presidenti Al-Khelaifi, për t’i rrëmbyer Florentino Pérezit yllin e tij të madh, si një lloj hakmarrjeje për transferimin e Mbappé në “Bernabeu”, verën e kaluar. Mësohet se roli i Neymar në këtë operacion për transferimin e Vinicius Junior te PSG ka qenë praktikisht vendimtar.

Ish-ylli i klubit parizien ka marrë përsipër personalisht që të finalizojë marrëveshjen, si një shenjë mirënjohjeje dhe mirëkuptimi për të gjitha ndeshjet që humbi për shkak të dëmtimeve gjatë qëndrimit të tij nën hijen e Kullës Eiffel.

Duke shfrytëzuar marrëdhënien e mirë që e lidh me bashkatdhetarin e tij të Real Madridit, Neymar ka lehtësuar komunikimin mes palëve. Madje thuhet se është zgjedhur tashmë edhe numri i fanellës, “77”, për të shmangur përsëritjen e numrit të paraardhësit, KM7.