“Në merkaton dimërore, lojtarët e mëdhenj nuk lëvizin. Do të ketë vetëm operacione tregu për të mbushur boshllëqet e skuadrave” Këto janë fjalët e Igli Tares, ish-drejtorit të Lazios dhe një figurë e futbollit që e njeh merkaton si pak të tjerë.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ish-sulmuesi i shquar shqiptar ka trajtuar disa tema, përfshirë objektivat e Juventusit për repartin mbrojtës: “Mua më pëlqen shumë Hancko. E kam pasur te Lazio dhe është një lojtar me personalitet, i aftë të drejtojë repartin e pasmë. Tek ai mund të mbështetesh gjithmonë, edhe te Feyenoord po e tregon sigurinë maksimale që ofron në mbrojtje. Antonio Silva? Është i ri dhe i fortë, do të ishte një përforcim i shkëlqyer”.
Edhe Napoli po kërkon një mbrojtës: “Unë do të merrja Luiz Felipe nga Arabia (është tek Al-Ittihad). Mund të luajë në një mbrojtje me tre ose katër dhe ka përvojë. Është punëtor i madh, do të përshtatej mirë me Conten”.
Sa i përket Interit, duket se nuk ka nevojë për përforcime: “Për mua, është favoriti kryesor për titullin, edhe kështu siç është, pa asnjë përforcim në janar. Zikaltrit kanë skuadrën më të fortë dhe Inzaghi është një nga trajnerët më të mirë në botë”.
Sipas Tares, as te Milani nuk priten blerje të mëdha: “Lojtarë me talent i ka, por ka humbur pikë në ndeshje kyçe. Nëse nuk largohet askush, nuk besoj se do të ketë lëvizje të rëndësishme”.
Në fund, disa fjalë të mira për Atalantën: “Goditjet i bëri në verë me Retegui, Samardzic dhe Zaniolo. Me rikthimin e Scamaccas do të ketë sulmin më të mirë në Serie A”.