Me fillimin e ciklit të ri olimpik, federatat sportive duhet t’u drejtohen zgjedhjeve për të mandatuar drejtuesit për 4-vjeçarin e ardhshëm. Atletika, “Mbretëresha e Sporteve”, do të mbajë Asamblenë Zgjedhore në fillim të dhjetorit.

Për president të Federatës Shqiptare të Atletikës ka shpallur zyrtarisht kandidaturën një emrave më të mirënjohur të këtij sporti në vendin tonë, Izmir Smajlaj, sportist me një karrierë të jashtëzakonshme. Kampion Europe në vitin 2017 në salla të mbyllura, Smajlaj ka zbuluar platformën e tij në një prononcim për “Panorama Sport”. Rekordmeni shkodran thekson se është i vendosur të sjellë një erë të re në atletikën shqiptare, me fokus në mbështetje për atletët e rinj dhe zhvillimin e infrastrukturës.

RULI, PIKË REFERIMI – Smajlaj e nis prononcimin e tij duke i thurur elozhe, ish-rekordmenit të kërcimit për së gjati, Gjergj Rulit, trajnerit të tij personal dhe njëherësh, presidentit të mëparshëm të kësaj federate. “Kam pasur fatin të punoj me një profesionist të tillë, i cili mban akoma rekordin e kërcimit U-20, të pa thyer prej 45 vitesh. Gjergj Ruli ka kontribuar në formimin tim si atlet. Udhëheqja dhe eksperienca e tij kanë qenë çelësi i suksesit tim, dhe kjo është një nga arsyet pse kam vendosur të kontribuoj për zhvillimin e atletikës në Shqipëri”, shprehet fillimisht Smajlaj.

TË RINJTË DHE KAMPIONËT – 31-vjeçari më tej përmendi rëndësinë e mbështetjes për talentet e rinj, por edhe duke përmendur emra si Luiza Gega, Franko Burraj dhe David Nikolli, të cilët pritet të kenë vëmendje të madhe në të ardhmen sipas tij. “Këta janë individë të shquar që kanë potencialin për të përfaqësuar Shqipërinë me krenari në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu përulësi dhe për trajnerët Marashi, Stërmasi, Rrotani, Çili, Dizdari, Demiri, Malaj, Selenica, Bejleri, Demiraj, Burda, etj., që sakrifikojnë në diell dhe shi. Ne duhet t’u ofrojmë atyre mundësitë dhe mbështetjen e ne

vojshme për t’u zhvilluar dhe për të arritur rezultate të shkëlqyera”.

SHKODRA – Më tej ai shpreh mirënjohjen për qytetin e tij të lindjes, Shkodrën, dhe për ish-trajnerin e tij, Vildan Tufi, i cili ka përgatitur me përkushtim shumë sportistë. “Jam mirënjohës për çdo moment të kaluara me trajnerin tim, i cili më ka ndihmuar të zhvilloj aftësitë e mia dhe të arrij qëllimet e mia. Atletika është më shumë se thjesht një sport për mua; është një familje, një pasion, dhe dëshiroj që kjo pasion të përçojë në brezat e rinj”, nënvizon Smajlaj.

PROGRAMI – Rekordmeni i kërcimit thekson gjithashtu edhe pikat më të rëndësishme të programit të tij për FSHA-në: “Një nga qëllimet kryesore të programit të tim është rritja e numrit të aktiviteteve sportive dhe garave, si dhe krijimi i mundësive më të mira për trajnim dhe përgatitje për sportistët. Gjithashtu kërkoj të forcojë lidhjet me institucionet arsimore dhe organizatat sportive ndërkombëtare për të sjellë ekspertizë dhe mbështetje për zhvillimin e atletikës shqiptare. Bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Olimpik për ta futur atletikën në programin Shkollor. Rëndësi të veçante edhe për cilësinë dhe kualifikimin e gjyqtareve të rinj në moshë.

Falënderoi gjithashtu Federatën e Atletikës, stafin drejtues, Komitetin Olimpik, presidentin Fidel Ylli, Bashkinë e Tiranës, Kryebashkiakun Erion Veliaj, dhe ish-presidentin e federatës, Gjergj Ruli, Klubin Tirana ngjyra që i kam mbrojtur për 6 vite, duke fituar shumë tituj me këtë klub shembullor. Pesha e suksesit është në duar të gjithëve, dhe është koha që të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për atletikën shqiptare”, thotë Smajlaj, teksa evidenton mbështetjen e qeverisë për këtë sport: “Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Sporteve kanë qenë të vëmendshëm në trajtimin dhe shpërblimin e sportisteve medalistë. Shqipëria është vendi i pestë në botë që shpërblen pa kursim kampionët Olimpikë, Botërorë, Europianë dhe Ballkanikë”.

PASION DHE ANGAZHIM – “Me një angazhim të fortë dhe një pasion të pashuar për atletikën, shpresoj të jem frymëzim për të rinjtë dhe të kontribuojë në ndihmën e një brezi të ri atletësh që do të vazhdojnë trashëgiminë e suksesit duke kthyer kokën edhe nga sportistë që kanë sakrifikuar rininë e tyre për atletiken si Pavlina Evro, Ajet Toska, Eduard Salillari, Nikolin Dionisi, Oltion Luli, Sazan Fisheku, Isa Tare, Artan Shyti, Fatmir Bajraktari, Liljana Karanxha, Marjeta Pronari, Klodeta Gjini, Arba Xhani, Vera Bregu. Gjithashtu dhe veteranët do të kenë vëmendjen time për atë stafetë që na kanë lënë. E dua atletikën dhe Shqipërinë dhe sporti është pasioni im më i madh”, përfundon Izmir Smajlaj.