Liverpooli është afër finalizimit të një tjetër përforcimi të rëndësishëm në repartin difensiv. Sipas raportimit të Fabrizio Romanos, “The Reds” kanë rënë dakord të paguajnë 45 milionë euro për të siguruar shërbimet e Milos Kerkez, mbrojtës i majtë i Bournemouthit dhe përfaqësues i Hungarisë.
21-vjeçari ka vendosur t’i bashkohet kampionëve të Ligës Premier , duke mbyllur kështu një kapitull dyvjeçar te Bournemouthi. Kerkez shihet si një nga talentet më premtues në pozitën e tij, dhe Liverpooli beson se ai do të sjellë thellësi dhe cilësi të re në skuadër.
Ky është përforcimi i tretë i madh i Liverpoolit në këtë merkato, pas marrëveshjes tashmë të përfunduar me Jeremie Frimpong dhe Florian Wirtz. Karriera e Kerkezit nisi në vendlindje me Gyori, për të vazhduar më pas te Milani, ku nuk arriti të debutojë në Serie A.
Pika e kthesës në karrierën e tij ishte kalimi te AZ Alkmaar, ku në 52 paraqitje realizoi pesë gola dhe shtatë asistime, duke rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.
Kerkez u transferua te Bournemouthi në vitin 2023 dhe tani është gati për një hap të madh në karrierë, në një nga klubet më të mëdha në Evropë. /Telegrafi/