Edmond Hasanbelliu ka dhënë dorëheqje nga Teuta. Presidenti i durrsakëve ka njoftuar vendimin e tij zyrtarisht përmes klubit. Deri më sot, në krye të durrsakëve, ishte edhe presidenti më jetëgjatë i Superiores. Që nga janari i vitit 1999 kanë kaluar 26 vite. Gjatë kësaj kohe ka numëruar edhe mbi 1100 ndeshje.
“Me keqardhje, dua të njoftoj se kam dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit. Pas një periudhe të gjatë angazhimi dhe përkushtimi, kam vendosur që të hap një kapitull të ri në jetën time, duke kërkuar mundësi të reja profesionale dhe personale.
Gjatë kohës që kam qenë pjesë e shoqatës, kam pasur mundësinë të kontribuoj në zhvillimin e projekteve të ndryshme dhe të punoj me shumë individë të jashtëzakonshëm. Për këtë, ndjehem i vlerësuar dhe i falënderuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin që kam marrë nga çdo anëtar i shoqatës.
Edhe pse po largohem, kam besim që shoqata do të vazhdojë me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim në realizimin e qëllimeve të saj. Do të mbaj gjithmonë një lidhje të ngushtë me të gjithë dhe i uroj suksese të gjithëve në të ardhmen. Faleminderit për të gjitha momentet dhe mundësitë që kam pasur për të kontribuar në këtë udhëtim”, shprehet Hasanbelliu.
Kulmi i suksesit për Hasanbelliun ishte fitimi i titullit kampion në vitin 2021. Gjatë kohë si president fitoi po ashtu tre herë Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën.