Katër sezone të luajtura në Shqipëri si titullar me Vllazninë dhe pas një aventure të shkurtër me Tiranën, më pas nisi një rrugëtim të gjatë në Maltë, vend ku jeton dhe kontribuon edhe sot, por tashmë në rolin e trajnerit. E kemi fjalën për Edmond Lufin, ish- mbrojtësin e kuqebluve i cili në fakt ka 28 vite që jeton në ishull. Aty ku përveç detyrës së mësuesit, bën edhe atë të trajnerit, madje duke qenë edhe i suksesshëm teksa ka arritur edhe të shpallet kampion.

Lufi ka dhënë një intervistë në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa ku ka folur për shumë gjëra, për karrierën tek Vllaznia, për atë në Maltë si futbollist, por edhe tashmë si trajner

– Me çfarë merret Edmond Lufi në Maltë?

– Ka 22 vite që bëj edhe punën e mësuesit. Vitin e fundit që u largova nga Shkodra e Shqipëria, sapo kisha përfunduar
Univervitetin “Luigj Gurakuqi” në degën histori- gjeografi dhe ky do të ishte një ndër hapat më të mëdhenj që më ka
ndihmuar në jetën time personale. Ka qenë këmbëngulja e babës tem për ta përfunduar shkollën, që më bëri të diplomohej pasi unë e kisha mendjen vetëm tek futbolli dhe nuk mendoja fare për shkollën. Por ja që më doli në faqe kjo gjë. Në Maltë studiova edhe dy vjet të tjera në Universitet, periudhë kjo që më duhej të merrja liçensën e mësuesit dhe tashmë jap mësim në një shkollë të mesme.

– Po me futbollin merreni?

– Kuptohet që nuk kam hequr dorë nga futbolli sepse është pjesë e rëndësishme e jetës time. Tashmë së fundi kam drejtuar një ekip të kategorisë së dytë këtu në Maltë dhe kontrata me të më ka mbaruar. Ndërkohë kam disa oferta të
tjera dhe për momentin po negocioj me disa skuadra por më afër mund të them se jam me klubin e Florianës, i cili
kryeson kampionatin e kategorisë superiore.

Ata më kanë kërkuar që unë të jem drejtor teknik i Akademisë së tyre dhe me shumë të ngjarë, do arrijmë akordin. Me Florianën kam punuar për dy sezone pak kohë më parë teksa kam drejtuar ekipin e të rriturve dhe i kam marëdhëniet shumë të mira me drejtuesit e klubit që duan të më kenë sërish në rradhët e tyre. Unë bëj 16 vjet që punoj tashmë si trajner dhe kam drejtuar ekipe nga më të ndryshmet, nga ato të moshave deri tek të rriturit.

– Cila ka qenë suksesi më i madh në karrierën tënde si trajner?

– Ka qenë ai me ekipin Hibernians me të cilin arrita të shpallesha kampion. Unë pata nënshkruar një kontratë trevjeçare me këtë ekip dhe që në vitin e parë u shpallëm kampionë, pikërisht në sezonin 2008-2009. Një sukses i madh
ky që la gjurmë në CV-në time pastaj sepse që nga ai moment, fitova një respekt të veçantë nga shumë klube të tjera.

– Çfarë tip trajneri jeni?

– Këtu të gjithë më njohin si një trajner që pëlqen elementin e ri dhe u jep besim, madje duke i aktivizuar edhe si
titullarë. Kuptohet që nuk është e lehtë për një trajner të aktivizojë lojtarë të rinj, sidomos në ekipe të rriturish
ku rezultati është gjithçka. Megjithatë, unë u bazova tek eksperienca ime tek Vllaznia dhe kujtoja besimin që trajneri Ramazan Rragami më dha mua një 18 vjeçari për të luajtur si titullar.

– Keni luajtur herët me Vllazninë, por keni qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer lojtarësh, atij të viteve ’80. Çfarë
mbresash ruani prej asaj kohe?

– Ka qenë një kënaqësi e madhe të luajë me Vllazninë në ato vite dhe këtë gjë e mbaj në zemër si një nga kujtimet më
të mira të jetës time. Natyrisht që për një djalë shkodran që e ka filluar futbollin qysh 10 vjeç dhe që ka kaluar të
gjithë hapat e karrierës dhe të debutosh 17 vjeç me ekipin e parë, kuptohet që ishte një mrekulli. Kam pas fatin e
madh të jem pjesë e asaj Vllaznie të shkëlyer. E mbaj mend si sot, debutimin tim. Ka qenë nëntori i vitit 1987 dhe po
luanim në Tiranë me 17 Nëntorin dhe po humbisnim 3-0.

Ishte hera e dyta apo e tretë që profesor Rragami më kishte grumbulluar me skuadrën dhe kur kishin mbetur edhe 20 minuta nga fundi i takimit që kuptohet ishte humbur tashmë, vendosi të më hidhte në fushë. Dhe paraqitja ime ishte shumë e mirë sepse kuptohet përballë kisha emra si Arben Minga, Agustin Kola etj, që ishin shumë të vështirë për t’u markuar. Mbaj mend që kur hymë në dhomat e zhveshjes, erdhi profesor Rragami dhe iu drejtua gjithë ekipit duke më marrë mua si shembull, për atë grintë dhe atë çfarë dhashë në fushën e lojë. Dhe që prej asaj ndeshje, nuk u largova më nga formacioni.

– Ke luajtur në repartin e prapavijës me emra të shquar të atyre viteve. Ka qenë e lehtë apo e vështirë për ju?

– Ka qenë një përgjegjësi e madhe të luajë përkrah Hysen Zmijanit, Hysen Dedja dhe Isak Pashajt dhe bashkë me mua formuam katërshen e mbrojtjes. Kuptohet ishte kënaqësi duke e parë veten mes tyre, por edhe përgjegjësi sepse duhej të isha i denjë për të luajtur krah tyre.

Të shijoje elegancën e Zmijanit, shpirtin luftarak të Dedjes e po ashtu edhe me elegancën e Pashajt ishte e lehtë por duhej të isha në nivelin e tyre dhe kjo më shtoi edhe më shumë dëshirën për të kërkuar perfeksionin tek vetja në çdo ndeshje e po ashtu, unë tentoja në çdo moment të mësoja prej tyre. Unë i kujtoj me respekt të madh edhe sot e kësaj dite sepse janë lojtarë që kanë ba historinë e Vllaznisë. I lumtur që kam jetuar me ta, që kam qenë pranë tyre në stërvitjet, fazët përgatitore e ndeshjet dhe kam mësuar shumë prej tyre.

– Çfarë ka qenë Vllaznia për ju?

– Vllaznia ka qenë gjithçka për mua. Ka qenë realizimi i ëndërrës më të madhe times në jetën sportive. E fillova sportin pa bërë ende 10 vjeç nën drejtimin e të mirënjohurit Ernest Halepjani tek shtëpia e pionerit. Në fakt unë isha rregjistruar tek ekipi i volejbollit, por një shok i imi që ishte tek futbolli më mbushi mendjen për të ndërruar sport dhe pas bisedës me profesor Halepjanin, jeta ime morri rrjedhë tjetër.

– Momenti më i lumtur gjatë periudhës që keni luajtur me Vllazninë?

– Në fakt, nuk kam patur fatin të fitoj trofe me Vllazninë, por jam i lumtur që kam qenë pjesë e saj në ato vite. Fillova të aktivizohesha si titullar në sezonin 1987-88, atëherë kur disa prej lojtarëve më të rëndësishëm u larguan ose i larguan nga futbolli. Për stafin nuk ishte e lehtë të ndërtonte edhe njëherë ekipin me djem të rinj. U afruam pranë ekipit, unë, Agron Lika, Xhemal Alibali, Ardian Barbullushi dhe nga të rinjtë kaluam direkt tek ekipi i parë.

Mundësinë që mu dha, e shfrytëzova në maksimum dhe për rrjedhojë falenderoj Zotit që më ndihmoi këtë moment sepse të
zije një vend tek Vllaznia e atyre viteve nuk ishte aspak e lehtë. Vërtetë u larguan disa lojtarë, por pjesë e ekipit
ishin sërish Viktor Briza, Bardh Jera, Hysen Dedja, Hysen Zmijani, Isak Pashaj, Fasli Fakja, pastaj ishin edhe Ilir
Kepa etj dhe në fakt dua t’i falenderoj të gjithë sepse na mbështetën ne të rinjve duke na qëndruar pranë dhe duke na
ndihmuar ta gjenim veten në ekip.

– Pse zgjodhe Maltën më pas?

Zgjodha Maltën dhe në fakt mendova se do të ishte një zgjedhje e përkohshme. Unë kisha idenë për të shkuar në Greqi
për të luajtur, ngaqë edhe kampionati atje ishte më i fortë. Por vëllai im, Arben Lufi ishte gazetar sportiv në atë
kohë dhe në një Kongres që u pat zhvilluar në atë kohë në Hungari. Atje u takua me një gazetar nga Malta dhe ndër të
tjera i kishte thënë se “kam vëllain futbollist dhe që luante me Vllazninë dhe me kombëtaren Shpresa”.

Ideja ishte që të luaja një vit atje sa për të marrë kartonin nga Vllaznia dhe më pas të kaloja në një kampionat më të fortë. Gazetari maltez ndërhyri dhe u bë e mundur të shkoja tek La Valletta. Luajta me të në Kupën e Kampioneve të
Europës, në Izrael dhe më pas u ulëm të bisedojmë për kushtet e kontratës. Unë kisha idenë se do të firmosja për një
vit por drejtuesit e saj më vendosën kusht: Tre vite ose ndryshe gjithçka prishej.

U detyrova ta pranoj. Kur kaluan tre vite pastaj, fillova të stabilizohem, u mësova me vendin, u njoha me nusen time dhe në fund gjithçka mori rrjedhën e duhur dhe prej 28 vitesh jetoj tashmë në këtë vend. E mbylla karrierën si lojtar në Maltë, por nuk jam pishman për këtë gjë, ndonëse do të kisha patur mundësi të luaja në
kampionate më të forta.

– E ndiqni Vllazninë e sotme?

– E kam ndjekur me aq sa kam patur mundësi nga mediat sportive dhe gazetat online. Kam parë që këto vitet e fundit
Vllaznia ka kaluar shumë probleme dhe është gjynaf që ndodh kështu. Them kështu sepse Vllaznia është një klub që ka
nxjerrë lojtarë të cilët besoj se edhe sot e kësaj dite nuk dalin më. Kjo skuadër ka ndërtuar një emër të madh në
vite, fanella e saj është e rëndë dhe kur një lojtar e vesh atë, duhet të mbajë një përgjegjësi të madhe morale,
shpirtërore.

Unë nuk them se është faji i lojtarëve që Vllaznia ndodhet në këtë situatë, por duhet gjetur një zgjidhje. Vllaznia
është dhe duhet të jetë gjithmonë Vllaznia, një emër që peshon. Ajo i hyn në zemër të gjithëve, të hyn në zemër dhe
prandaj duhet mbrojtur me çdo kusht.

– Keni një përshendetje për tifozët shkodranë?

– Padiskutim që kam diçka për t’u thënë atyre. Do t’u uroja gjithë të mirat dhe do t’u kërkoja të vazhdonin të mbështesin Vllazninë sepse ajo pavarësisht se këto vitet e fundit nuk i ka kënaqur, ka nevojë për ta edhe në këto momente të vështira.
Intervistoi: Gjergj KOLA

Ne foto, ceremonia e lenies se futbollit dhe dorezimit te fanelles nga Ferid Rragami tek i riu i spikatur i atyre viteve Edmond Lufi