Në miqësoret e fundit që Vllaznia ka zhvilluar konkretisht ndaj Laçit të humbur 2-1 dhe Kukësit të fituar në shifrat 4-3, ka qenë një futbollist në rradhët e kuqebluve që ka rënë në sy për mirë. Fjala është për Edon Muratajn, mesfushorin që iu bashkua shkodranëve gjatë kësaj merkatoje verore. Dhe duket se nga java në javë është përshtatur siç duhet me skuadrën dhe në duelet e fundit miqësore ka treguar shumë nga klasi dhe vlerat e tij.

Pavarësisht se 23-vjeçari nuk ka shënuar dy takimet ndaj Laçit dhe Kukësit, ku shijen e golit e ka provuar vetëm në një ndeshje kundër Vllaznia B, sërish futbollisti me pasaportë belge ka ditur të imponohet me lojën e tij. Madje duke qenë edhe i pafat në rrugën e tij për të gjetur një gol që më shumë shërben moralisht. Kështu i ka ndodhur edhe dje në ndeshjen ndaj Besës kur në 2-3 momente ka qenë pranë golit, por ishte i pafat në konkretizim.

Kjo pasi si në ndeshjen ndaj Laçit apo edhe atë ndaj Kukësit, numri “10-të” ka goditur dy herë shtyllën nga tentativat me goditje dënimi. Duke treguar se këto lloj standardesh janë edhe një “specialitet” i tiji, madje mes tifozëve duke u krahasuar edhe me mënyrën se godiste Martini, kur ai ishte vetë futbollist. E pikërisht Martinin tashmë Murataj e ka si trajner dhe nga shkodrani mund të mësohet shumë përsa i përket fantazisë dhe organizimit të lojës.

E tashmë Murataj i cili në fillim mund të konsiderohej thjesht një alternativë në stol, duket se do shtojë akoma më shumë konkurrencën në mesfushën e kuqebluve. Me ish-futbollistin e Lafnitz në Austri që mund të aktivizohet në disa pozicione.

Përveç rolit të tij natyral, atë të mesfushorit të avancuar, Murataj mund të luajë edhe si mesfushor qendre apo mesfushor krahu. Bazuar kjo edhe në nevojat që do ketë skuadra apo edhe skemat të cilat do kërkojë të aplikojë Martini gjatë edicionit 2025-26 të Superiores.