Egnatia është në pritje të shortit të kompeticioneve europiane, me synimin e qartë për të kaluar turin e parë kualifikues. Skuadra nga Rrogozhina po përgatitet me seriozitet për këtë sfidë historike dhe në klub ka optimizëm se një short i favorshëm mund të hapë rrugën për një ecuri pozitive në arenën ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, merkatoja ka qenë një prioritet për drejtuesit, të cilët kanë lëvizur shpejt për të përforcuar të gjitha repartet. Disa afrime cilësore janë bërë tashmë, duke i dhënë më shumë thellësi dhe alternativë skuadrës së drejtuar nga Tetova. Objektivi është i qartë: të krijohet një grup konkurrues, që jo vetëm të përballojë ndeshjet e Europës, por të jetë i gatshëm për të shkuar më larg.
Pas afrimeve të Kastriot Selmanit dhe pritjes së konfirmimit për treshen: Ze Uelinton, Misak Hakobian dhe Anio Poçi, Egnatia duket “top” para duelit në Europë. Sakaq, me ekipin ka dalë për t’u provuar edhe mbrojtësi 20-vjeçar nga Vushtria, Redon Përçuku. Ambicia në kampin rrogozhinas është më e lartë se kurrë, ndërsa klubi shpreson që puna në merkato dhe përgatitjet intensive të shpërblehen me një përballje të kalueshme në raundin e parë, që do t’u hapte dyert e historisë në arenën ndërkombëtare.
FAZA PËRGATITORE – Pas përfundimit të përgatitjeve fillestare në vend, skuadra e Egnatias ka nisur fazën e dytë të përgatitjeve jashtë Shqipërisë. Destinacioni i radhës është Bansko, Bullgari, ku ekipi nga Rrogozhina do të qëndrojë për dy javë, në funksion të përgatitjes për ndeshjet e verës, përfshirë edhe ato ndërkombëtare në arenën europiane. Stafi teknik ka planifikuar një program intensiv për këtë periudhë, me stërvitje të përditshme dhe ndeshje miqësore për të testuar gjendjen e skuadrës. Testi i parë do të zhvillohet të mërkurën, ku Egnatia do të përballet me kampionët në fuqi të Gjeorgjisë, Iberia 1999.
Një sfidë që pritet t’i shërbejë trajnerit Tetova për të parë në vepër skuadrën ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë. Kjo miqësore do të jetë një provë serioze për të analizuar ecurinë e përgatitjeve dhe për të dhënë sinjale të para mbi formën e grupit në prag të sezonit të ri. Egnatia synon të jetë gati si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik, për sfidat që e presin në kampionat dhe Europë.