Nga Endri ÇINARI
Një futbollist shkodran që pritet të realizojë një transferim jashtë vendit në këtë merkato verore është Ardit Nikaj. Sulmuesi i Skënderbeut, duket tashmë shumë afër transferimit jashtë Superiores e teksa më parë ishte diskutuar se 23-vjeçari mund t’i bashkohej Metalist 1925, ngjarjet kanë marrë një rrjedhë tjetër.
“Shkodra Sport” mëson në mënyrë ekskluzive që ish-lojtari i akademisë Vllaznia është shumë pranë firmës me ekipin e Wisla Krakow në Poloni.
Burime pranë futbollisti, por edhe klubit të Skënderbeut mësojnë se po diskutohen detajet e fundit të marrëveshjes mes klubit korçar dhe atij polak. Ku është vlera e transferimit të Nikajt ajo që mban peshën kryesore për arritjen e kësaj marrëveshjeje në mënyrë përfundimtare.
Megjithatë parimisht duket se është arritur një marrëvesheshje “xhentellmenësh” dhe shkodrani tashmë është shumë afër transferimit në Poloni. Kjo do jetë aventura e parë e Nikajt jashtë Superiores, ku në vendin tonë është aktivizuar si profesionist vetëm tek Skënderbeu për 4 sezone e tashmë është pranë hapit të madh në karrierë.(www.shkodrasport.com)