Nga Maringlen ZHIVANI

Skuadra e Vllaznisë ka nisur punën për përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të vendosë në dispozicion të trajnerit Edi Martini elementë cilësorë. Shkodranët po kërkojnë që të afrojnë futbollistë me eksperiencë dhe ata kanë nisur edhe piketimet e para. Pikërisht, njëri prej tyre është edhe ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Sherif Kallaku, i cili është dëshira e madhe e Vllaznisë.

“Shkodra Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta se fantazisti është kontaktuar së fundmi nga trajneri Edi Martini. Mesfushori nga Fushë-Kruja është pjesë e Sepsit në Rumani prej dy sezonesh. Megjithatë, pengesë për momentin është kontrata që e lidh me klubin rumun. Drejtuesit e Sepsit e shohin Kallakun si një futbollist me shumë vlera dhe të paktën për momentin, klubi nuk ka dëshirë që ta largojë, duke qenë se kontrata e tij është edhe për vitin e ardhshëm.

Përkundrazi, madje ata e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të formacionit të tyre. Në fakt, ardhja e tij tek Vllaznia duket mjaft e vështirë, paçka se trajneri Martini po insiston për të bindur që e ka patur në drejtimin e Teutës pak vite më parë. Palët kanë patur bisedime, por sërish ardhja e Kallakut në Shkodër duket mjaft e vështirë.

Kjo edhe nga kontrata e tij që e mban të lidhur me Sepsin edhe për një vit tjetër. Ditët në vazhdim do të jenë vendimtare për merkaton e Vllaznisë. Kuqeblutë duket se do ta kenë shumë seriozisht në merkaton e kësaj vere, teksa shkodranët duan të ndërtojnë një ekip të fortë për edicionin e ardhshëm, për të konkurruar me emra si Egnatia dhe Dinamo, që po shpenzojnë shifra të konsiderueshme për të afruar futbollistë cilësorë.(www.shkodrasport.com)