Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur punën për sezonin e ardhshëm. Kuqeblutë do të synojnë të jenë pretendentë seriozë, mbi të gjitha tashmë pas afrimit të trajnerit Edi Martini, duke marrë në konsideratë edhe eksperiencën e tij që ka mbi supe. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Shkodra Sport” ish-mbrojtësi dhe trajneri i njohur i Vllaznisë, Luan Zmijani. Gjëja e parë që Zmijani preku është afrimi i Edi Martinit. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Si ishte ky vit për Vllazninë?
Të them të vërtetën, e kam ndjekur ekipin në të gjitha takimet dhe fillimisht, nuk e mendoja që do të arrinte deri në finale, duke parë disa luhatje gjatë rrugëtimit të sezonit, por edhe shumë keqardhje që nuk u arrit objektivi kryesor, titulli.
-A ishte ky maksimumi i skuadrës apo mund të bëhej më mirë?
Mendoj se kaq ishte maksimumi i skuadrës, duke pasur përballë dy kundërshtarë shumë të fortë si Egnatia dhe Dinamo.
-Në krye të Vllaznisë ka ardhur një trajner shkodran si Edi Martini, si e shikoni rikthimin e tij tek kuqeblutë?
Mendoj që është një zgjedhje tepër e mirë dhe e duhur nga ana e presidentit Xhaferi. Martini e njeh shumë mirë kampionatin tonë, plus dhe di të dalë kampion, e bëri me Teutën.
-Çfarë prisni nga Kupat e Evropës?
Në qoftë se, arrijnë të zëvendësojnë disa futbollistë, ku kishte probleme gjatë këtij sezoni, mendoj se do të ketë paraqitje të mirë dhe të suksesshme.
-E prisni një sezon më të vështirë, duke parë edhe ekipet që po ngjiten?
Patjetër që do të jetë një sezon më i vështirë sesa ky që lamë pas. Unë parashikoj një tjetër Partizan. Dinamo më të fortë dhe një Egnatia që do të mundohet të ruajë titullin.
-Keni një këshillë për skuadrën gjatë merkatos dhe sezonin që i pret?
Po patën financa të mira, duhen dobësuar kundërshtarët që sapo përmenda më sipër dhe kuptohet që skuadra forcohet siç duhet. Megjithatë, është tepër e vështirë se ato skuadra nuk mund t’i lejojnë për t’iu marrë futbollistët. Në të kundërt, futbollistët tepër cilësor duhet të vijnë nga tregu i jashtëm.(www.shkodrasport.com)