Nga Endri ÇINARI

Ka qenë një prej futbollistëve më të talentuar shkodranë dhe jo vetëm të viteve 1980-90, ku me kuqeblutë arriti ti mahnisë të gjithë. Madje duke marrë edhe ftesën nga kombëtarja shqiptar. Fjala është për Lulzim Bershenin, i cili prej vitesh jeton në Greqi. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ish-mesfushori flet për Vllazninë dhe situatën e shkodranëve. Në fjalët e tij Bersheni shpreh “zhgënjimin” e një shkodrani, që kërkon Vllazninë gjithmonë kampione të vendit.

-Bersheni, 2 ndeshje 4 pikë për Vllazninë. I kënaqur nga kuqebutë apo jo?

Duke parë kundër kujt luajtën në këto dy ndeshje nuk është aspak keq. Por, mua dhe shumë tifozëve të tjerë na ka ngelur ende mendja tek ai eleminim me Valur. Besoj se ishte një eleminim i turpshëm për Vllazninë.

-Çfarë po i mungon Vllaznisë që nuk po shpreh atë lojën sulmuese që e ka në ADN?

Vllaznisë i mungon tamam kjo që po thua, ADN-ja shkodrane. Lojtarët që luajnë për Vllazninë nuk kanë ndonjë dashuri të madhe për ekipin. Nuk janë krenarë për fanellën që mbajnë veshur. Si në humbje dhe në fitore për ta është njësoj dhe nuk e vrasin mendjen shumë se pse tifozët nuk shkojnë në stadium. Për këtë arsye vijnë e ikin futbollista që nuk i mban mend kush, futbollista që duan vetëm paratë e kontratës.


-Mendoni se ky ekip mund të ecë përpara në këtë sezon?

Për momentin nuk dua të jap një mendim të nxituar. Dua ta shikoj edhe disa javë ekipin për të pasur një mendim konkret. Plus dua të shoh nëqoftëse iu ka premtuar gjë Duka dhe Rama që ishin për vizitë në Shkodër së fundmi (qesh).


-Ka ndonjë lojtar aty në syrin tuaj që ju bën përshtypje?

Jo, nuk është se në syrin tim ka spikatur ndonjë futbollist tek Vllaznia. Uroj që të ma “prish” mendjen ndonjëri.


-Një parashikim për transfertën që Vllaznia do luajë kundër Skënderbeut?

Nga ajo çfarë kam pasur mundësi të shoh, mundësitë janë për një fitore në Korçë. Por kam frikën e ndonjë barazimi pavarësisht se unë dua që Vllaznia vetëm të fitojë.


-Së fundmi dua të ndalem tek talentet shqiptare në Greqi ku ju jetoni prej shumë vitesh. Disa zgjedhin të përfaqësojnë Shqipërinë e disa Greqinë. Çfarë këshille do kishte për ta?

Unë jam krenar që jam shqiptar, malësor që kam veshur fanellën kuqezi të kombëtares. Ashtu duhet ta ndiejnë veten edhe ata që luajnë më kombëtaren tonë. Niveli i ekipit kombëtar tani është rritur dhe ka nevojë për talenta nga e gjithë Bota kudo ku janë. Pse jo të mos fitojmë edhe ne një Europian si Greqia? Apo të marrim pjesë në një Botëror? Talenta shqiptar ka kudo, ne e kemi në gjak futbollin e prandaj po i them këto fjalë me kaq optimizëm./www.shkodrasport.com/