Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia e sezonit të ri pritet me shumë interes në Shkodër. Shkodranët vijnë pas një sezoni shumë zhgënjyes, ndërsa tashmë në merkato po tentohet lojtarë cilësorë. Ndërkohë, ish-trajneri i Vllaznisë Elvis Plori, i cili sot drejton ekipin e 19-vjeçarëve të klubit shkodran, foli në emisionin “Studio Sport” për skuadrën kuqeblu. Në fjalët e tij, Plori tha se Vllaznia është në rrugën e duhur, ndërsa shtoi se trajneri Edi Martini do të bëjë mirë në Shkodër në këtë rikthim të tij.

“Unë mendoj se Vllaznia është drejt konsolidimit të ideve të trajnerit Martini. Gjithçka po shkon ashtu, siç Martini e ka ndërtuar skuadrën dhe normalisht, këto ndeshje miqësore nuk janë për t’u marrë shumë me rezultatin.

Duhet të merremi me lojën dhe me mënyrën sesi kërkon trajneri Martini për të luajtur. Unë them se është ndërtuar një skuadër ndoshta pa zhurmë të madhe, por me një eksperiencë shumë të madhe brenda. Me këtë eksperiencë që është krijuar, por edhe me eksperiencën e Martinit, them se ai do bëjë mirë.

Unë them se Vllaznia do bëjë mirë jo vetëm në Kupat e Europës, por edhe në kampionat. Normalisht, në kampionat do të duhen edhe përforcime të tjera, sepse kampionati është i gjatë, është edhe Kupa në mes, janë ndeshje shumë. Gjithsesi, unë mendoj se janë në rrugën e duhur”,-tha trajneri Elvis Plori.