Bashkia e Lushnjës, si aksionere e vetme e klubit të futbollit, duke zotëruar 100% të kapitaleve, parashikon një fond prej 520 milionë lekësh (të vjetër) për vitin 2020. Nga kjo shumë 400 milionë lekë (të vjetër) janë të ardhurat nga bashkia, ndërsa 120 milionë janë të ardhurat nga burime sekondare.

Është pa dyshim një shumë e konsiderueshme për një klub të Kategorisë së Parë, ku bashkia mban peshën kryesore.

Lushnja nuk ka një sponsor zyrtar, ndërsa donacionet arrijnë në shifrën prej 34 milionë lekëve, gjithmonë të vjetër. Që nga 6 shtatori i vitit 2013, klubi i futbollit të Lushnjës funksionon me të ardhurat e veta dhe me të ardhurat që i kalon bashkia në formën e subvencionimit.

Sipas informacioneve që përcjell njësia vendore për gazetën “Panorama Sport”, projekt-plani financiar i vitit 2020 është hartuar duke marrë në konsideratë mirëfunksionimin e sh.a-së dhe arritjen e rezultateve të ekipit.