Prej disa vitesh larg Vllaznisë por mendja është gjithmonë aty. Amarildo Belisha, një nga mesfushorët e njohur të kësaj skuadre në vite, e ndjek me vëmendje ecurinë e kuqebluve dhe i vjen keq që ata ndodhen sërish në pozita të vështira.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa teksa ka folur për ndeshjen e nesërme të Kupës me Teutës, por edhe për vazhdimësinë e saj në kampionat teksa është shprehur:

“Vite më parë, kanë qenë 8 lojtarë për me veshë një fanellë të Vllaznisë. Pra nëse është liruar një vend në skuadër, janë çuar 8 vetë për ta marrë atë. Por vitet e fundit kanë ndryshuar gjërat. Sot janë 8 fanella në tokë dhe nuk çohet një lojtar për ta marrë dhe për ta veshur atë. Qysh kur kam qenë unë në vitet e fundit të karrierës, ua kam thënë lojtarëve më të rinj që vinin në ekip se ka rënë përgjegjësia.

Karakteri, egoja sportive kanë ardhur duke u zbehur në vite. Shoh lojtarë që ikin pa mbushë 19 vjeç ndërkohë që në kohën tonë kemi patur kontrata profesioniste deri 23 vjeç dhe nuk të ka lënë kush të largohej. Kuptohet që me rregullat e fundit që kanë dalë, lojtarët janë më të favorizuar për t’u larguar sepse i paguajnë klubit periudhën e formimit dhe kaq. Nuk duhet lejuar që të ndodhë kështu.

Gjithmonë ka shpresë për kualifikim sepse nuk mund të shkosh në Durrës i dorëzuar. Vllaznia duhet t’i mendojë të gjitha, si kupën e ashtu edhe kampionatin sepse nuk ka asgjë të garantuar në asnjërin front. Ajo duhet të luftojë deri në fund në kupë për ta patur si “gurë rezervë”. Vërtetë rezultati 2-2 nuk është shumë i favorshëm por mundesh të bësh gol dhe kualifikohesh.

Nuk do të jetë e lehtë sepse do të jesh përballë një Teute që po gëzon një formë të mirë. Kemi të bëjmë me një ndeshje të vështirë, por meqenëse luajmë në transfertë, besoj se profesor Seri do të gjejë mënyrën për ta goditur Teutën dhe për t’u mbrojtur mirë pastaj në mënyrë që të mos pësojë gol”.

Ndeshjen e kupës me Teutën e shoh të lidhur me atë të kampionatit që do të luajmë po me këtë skuadër të dielën në Shkodër. Nëse Vllaznia kualifikohet nesër, morali i skuadrës do të jetë i lartë dhe vetë durrsakët do ta kuptojnë se çfarë kundërshtari kanë përpara.

Vllaznia është e rrezikuar për të shkuar në play-out sepse vetë pozicioni i saj në renditje dhe diferenca prej 4 pikësh që ka me rivalin e saj kryesor, e tregon këtë gjë. Për më tepër që ka edhe një kohë të shkurtër në dispozicion për të rikuperuar këtë diferencë, kanë mbetur edhe vetëm 6 ndeshje deri në fund.

Tashmë si kanë shkuar gjërat, Vllaznia duhet të bëjë punën e saj. Bylis mund të gabojë në një ndeshje, por të jeni të sigurtë se ndeshjen tjetër do të kërkojë ta rikuperojë menjëherë. Unë personalisht mendoj që skuadra jonë duhet ta mendojë edhe play- outin, nuk është fundi i botës. Janë edhe skuadra të mëdha në botë që kanë luajtur ndeshje të tilla dhe ia kanë arritur të qëndrojnë në kategori.

Ekipi nuk duhet të kalojë në pesimizëm dhe të themi që tashmë çdo gjë mbaroi se shkuam në play-out. Ai duhet të bëjë kampionatin e tij, stërvitja duhet të vazhdojë me ritme të larta në mënyrë që të mendojnë për atë ndeshje. Nuk duhet të mendojmë se mbaroi gjithçka.

Kemi lojtarë me eksperiencë tek Vllaznia, lojtarë që kanë disa kampionate mbi shpinë dhe që kanë fituar edhe trofe, dinë të dalin nga këto situata, prandaj ato duhet të jenë përgjegjësit kryesorë për nxjerrjen e skuadrës nga ky moment i vështirë”.
www.shkodrasport.com