FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREKthim pas 6 muajsh, Lirim Kastrati mund të jetë në fushë që...

Kthim pas 6 muajsh, Lirim Kastrati mund të jetë në fushë që në tetor

Shkuar nga Endri ÇINARI

Lajme pozitive vijnë nga infermieria e Vllaznisë për Lirim Kastratin. Sulmuesi i krahut, i cili prej muajit mars ka qëndruar larg fushave për shkak të një dëmtimi, së fundmi është rikthyer në fushën stërvitore. 27-vjeçari ka nisur të kryejë vrapime individuale, një hap i rëndësishëm në procesin e rikuperimit dhe që jep shpresë për një rikthim jo shumë të largët në dispozicion të skuadrës shkodrane.

Sipas burimeve pranë klubit, gjendja e numrit 7 është optimale dhe rikuperimi i tij ka ecur sipas programit të përcaktuar. Kastrati po ndjek me kujdes çdo fazë të procesit, ndërsa sinjalet e para janë inkurajuese. Nëse gjithçka vijon në këtë ritëm dhe pa komplikacione të tjera, sulmuesi mund të jetë sërish në dispozicion të trajnerit Edi Martini gjatë muajit tetor.

Një rikthim që padyshim do të përbënte një lajm shumë të mirë për Vllazninë. Prania e Kastratit do t’i jepte më shumë alternativa repartit ofensiv, por mbi të gjitha cilësi dhe shpejtësi lojës në krahë. 27-vjeçari konsiderohet një prej futbollistëve më të rëndësishëm të kampionatit shqiptar dhe rikthimi i tij në formën më të mirë do të rriste ndjeshëm potencialin e kuqebluve në vazhdim të sezonit.

Megjithatë, në kampin shkodran nuk duan të nxitohen. Pas një mungese të gjatë, prioritet mbetet rikuperimi i plotë i futbollistit dhe shmangia e çdo rreziku për një rikthim të parakohshëm. Stafi teknik dhe ai mjekësor po ndjekin me kujdes gjendjen e Kastratit, duke e rritur gradualisht ngarkesën në stërvitje, me synimin që ai të kthehet vetëm atëherë kur të jetë 100% gati.

Për momentin, vrapimet individuale janë një sinjal i fortë se fundi i periudhës së vështirë po afrohet. Tetori duket si objektivi më realist për të parë sërish Lirim Kastratin në fushë, ndërsa te Vllaznia presin që rikthimi i tij të sjellë jo vetëm më shumë entuziasëm, por edhe një armë të rëndësishme për Edi Martinin në repartin e sulmit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments