Shkruar nga Endri ÇINARI
Rregulli i ri për aktivizimin e futbollistëve të lindur në vitin 2007 e në vijim ka sjellë një realitet të ri në kampionatin e Superiores për sezonin 2026-2027. Që në javën e parë është vënë re se klubet janë detyruar të mbështeten më shumë te elementët e rinj, duke u dhënë hapësirë futbollistëve që deri pak kohë më parë mund të kishin qenë thjesht pjesë e ekipeve të moshave. Madje, shumica e skuadrave kanë pasur në dispozicion më shumë se dy lojtarë të kësaj grupmoshe, duke krijuar alternativa të ndryshme për zbatimin e rregullit gjatë gjithë sezonit.
Ka pasur edhe skuadra që e kanë ndier më shumë vështirësinë e këtij detyrimi në javën hapëse. Skënderbeu, Laçi dhe Tirana janë ndër ekipet që janë përballur me problematika në përzgjedhjen e titullarëve dhe menaxhimin e futbollistëve të rinj. Një panoramë që tregon se rregulli nuk po zbatohet në të njëjtën mënyrë nga të gjithë, me disa klube që kanë më shumë mundësi zgjedhjeje dhe të tjera që ende duket se janë në fazën e përshtatjes.
Ndryshe paraqitet situata te Vllaznia. Në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut, në dispozicion të Edi Martinit ishin vetëm dy futbollistë të kësaj grupmoshe. Njëri prej tyre, Sokol Uldedaj, e nisi takimin si titullar dhe ishte zgjedhja e kuqebluve për të përmbushur kriterin e vendosur, ndërsa Sabion Bizi ishte një nga alternativat në stolin e rezervave. Pra, nëse Uldedaj nuk do të kishte qenë në formacion, Martini do të kishte pasur shumë pak hapësirë për zgjedhje, duke iu drejtuar pikërisht Bizit.
Kjo duket se tregon qartë se te Vllaznia eksperimentet e verës kanë marrë fund. Gjatë përgatitjeve pati disa futbollistë të rinj që u provuan pranë ekipit të parë, por në fund vetëm Uldedaj dhe Bizi kanë mbetur si emrat që mund të konsiderohen alternativat konkrete të kuqebluve për këtë rregull. Dy lojtarët duket se i kanë rezistuar “furtunës” së merkatos së verës dhe ndryshimeve të shumta në skuadër, duke fituar mundësinë për të qenë pjesë e grupit gjatë një sezoni të gjatë dhe kërkues.
Megjithatë, fakti që janë dy të vetmit nuk do të thotë se vendi i tyre në formacion do të jetë i garantuar. Vetë Edi Martini ka lënë të kuptohet se përtej detyrimit të rregullit, në fushë duhet të luajë ai që e meriton. Uldedaj duket se ka aktualisht një avantazh, duke qenë se e nisi që në javën e parë si titullar, por edhe Bizi mund të fitojë hapësirat e tij nëse bind stafin teknik. Për Vllazninë, sfida do të jetë që rregullin të mos e shohë thjesht si një detyrim, por si një mundësi për të ndërtuar dy alternativa të vlefshme për të ardhmen.
Kështu, nëse nuk do të ketë zhvillime të tjera në grup gjatë sezonit, Sokol Uledaj dhe Sabion Bizi pritet të jenë dy protagonistët e rinj të Vllaznisë në edicionin 2026-2027. Njëri tashmë ka hedhur hapin e parë drejt formacionit titullar, ndërsa tjetri mbetet alternativa më e afërt. Në një kampionat ku klubet po detyrohen të hapin më shumë derën për brezin e vitit 2007, te kuqeblutë përgjegjësia duket se ka rënë pikërisht mbi supet e këtyre dy emrave të rinj.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


