Java që shkoi ishte një ka mbanë alarmi për gjyqtarët dhe për kampionatin shqiptar. Në të gjitha kategoritë. Jo vetëm sepse prej tyre u bënë shumë gabime që ndikuan në rezultatet e ndeshjeve, por sepse në vend që të ketë reflektim, të tregojnë me fakte se po përmirësohen nga ndeshja në ndeshje, performanca e arbitrave është ku thërret qameti.

Nëse dikush e konsideron të tepruar këtë qëndrim të gazetës, mjafton t’u hedhë një sy reagimeve të pasndeshjeve. Si kurrë më parë, presidentë dhe trajnerë janë detyruar të drejtojnë gishtin nga “bluzat e zeza”. Me të drejtë, për fat të keq.

Gabimet e Jorgjit, Feratajt, Zirit, Xhajës, Koçit, Metës, Shahinit, Hamitit, Kolës etj. nuk u lënë shpëtim arbitrave dhe atyre që sot drejtojnë sektorin e arbitrimit. Sokol Jareci, sot disenjator, ka arbitruar në kohë më të vështira, por në periudhën e tij, e dinim se kishim dy kategori arbitrash. Ata më cilësorët (mes tyre vetë Jareci), që edhe kur gabonin vështirë të dyshoje se e bënë me qëllim, dhe disa të tjerë që hynin e dilnin në listën e elitës sipas kursit të këmbimit.

Po sot? Sot jo vetëm që është e vështirë të dallosh arbitrat që bëjnë diferencën, por ç’është më e keqja, gabimet e tyre janë aq të trasha dhe aq të përsëritura, saqë fillon të dyshosh edhe për moralin e tyre. Është e trishtueshme të shohësh se si Enea Jorgji gabon dy herë në dëm të Vllaznisë; Meta bëhet faktor në një ndeshje që vlen titullin, Xhaja i mohon gol super të rregullt Bylisit; Shahini sheh si masakrohen lojtarët e Skënderbeut në Ballsh dhe nuk nxjerr as të verdhin; ndërsa në Kategorinë e Parë gjyqtarë si Ziri, Kola dhe së fundmi Hamiti e ekzagjerojnë më shumë, duke vendosur edhe fatet e një sezoni.

PËRGJEGJËSIA

Vështirë të thuash se këta arbitra janë produkt vetëm i Sokol Jarecit. Performanca e sotme e gjyqtarëve vendos në pozita tejet të vështira edhe disenjatorin e tyre, që mund të kritikohet për shumë gjëra, por jo për mungesë etike dhe përgjegjshmërie. Situata është kjo që shohim të gjithë, edhe sepse kolegjiumet nuk e kanë bërë detyrën e tyre si duhet. Bujar Pregja nuk flet kurrë për këtë… Niveli i konkurrencës mbetet shumë i ulët. Situata është e tillë, që vë në diskutim edhe ndershmërinë e ndeshjeve, edhe për shkak se FSHF i fut hundët në punët e arbitrave më shumë sesa duhet.

Situata është e tillë, sepse Tahir Kastrati, kryetari i shoqatës, më së shumti konsiderohet si një vartës i zakonshëm i Dukës. Rrjedhimisht, gjithë zinxhiri i arbitrave shndërrohet në vasal të presidentit të FSHF-së, duke shkatërruar rolin e strukturave, që duhet të trajnojnë, vlerësojnë, gradojnë dhe ndëshkojnë arbitrat sipas performancës së tyre (Nëse ka dyshime për këtë, pyesni se kush e largoi Lorenc Jeminin nga arbitrimi…). Situata është e tillë, sepse edhe një pjesë e atyre ishgjyqtarëve që bëjnë moviolë në TV, nuk i thonë gjërat drejt.

Duke mos i thënë drejt, nuk i ndihmojnë arbitrat ku kanë gabuar dhe ku kanë vepruar drejt. Përkundrazi, i çorientojnë fare. Situata është e tillë, sepse nuk kemi Ligë Profesioniste funksionale që klubet të kërkojnë llogari për arbitrat dhe shefat e tyre. Dhe duke mos funksionuar kaq shumë gjëra, nuk mund të kemi gjyqtarë të aftë, të ndershëm, trima dhe asnjanës.