asketbollit shqiptar është në prag të se zonit të ri, 2023- 2024, edicion që pritet të nisë në fund të muajit më Kupën e FSHB-së, për t’i lënë më pas vend kampionatit. Por si gjithnjë sporti i koshit, përveç rivalitet të zakonshëm në parket, prodhon gjithashtu edhe polemika jashtë. Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur në këtë prag sezoni, ndërsa si zakonisht nuk i ka kursyer “shigjetat” në drejtim të Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Z.Gorea, cili është qëndrimi i Teutës në lidhje me vendimet e FSHB-së, për të cilat më pas u kërkuan edhe propozimet e klubeve, por që nuk sollën asnjë ndryshim…
Federata Shqiptare e Basketbollit është në një mision të pandreqshëm drejt shkatërrimit të basketbollit në Shqipëri. Këtë e tregojnë më së miri rezultatet e deritanishme dhe manovrat që bëhen nga dyshja Ponari-Llazani. Njerëz që në vend që të kujdesen për këtë sport elitarë, për këta djem të mrekullueshëm, që shpenzojnë kohë, pasion dhe sakrifica për këtë sport kaq të bukur, mendojnë si të nxjerrin përfitime personale dhe të jenë këta menaxherët e një “zullumhaneje” që vetë e kanë krijuar dhe po e drejtojnë prej vitesh.
Ju vazhdoni ta kontestoni ndryshim e formulës apo jo?
U prish gara, sepse për hir të së vërtetës ishte një kampionat i Kategorisë së Parë, ku u ndeshën ekipet, konkurruan për të dalë në Superligë dhe i gjithë ky kampionat u shkatërrua. Nuk u morën parasysh paratë e investuara, sakrificat, mundi, rregullat dhe vetë statuti i FSHB-së thotë se ndryshimet bëhen një vit përpara. Pra, gjithçka u shumëzua me zero, sepse kështu i shkoi mendja Ponarit, i cili mendon që e ka basketbollin pjesë të kompanisë së tij. Basketbolli ka rininë, ka pasionin, ka forcën, ka perspektivën elitare dhe nuk mund të menaxhohet nga këta njerëz. Tani le të shpresojmë që shteti do të arrijë edhe në FSHB, të kontrollojë veprimet dhe aktivitetin e saj dhe t’u japë vendin që u takon këtyre njerëzve, të cilët topin e basketbollit e konsiderojnë si zar të ruletëve të bixhozit.
Të kalojmë te sezoni i ri, që tashmë po afron. Si do të jetë Teuta 2023-2024?
Të themi të drejtën situata është shumë e vështirë. Kjo turbulencë që këta kanë krijuar, duke përzier kategoritë, standardet dhe influencat, ka sjellë shumë probleme në basketbollin shqiptar, duke filluar që nga elementi bashkëpunues, te pagat, te pretendimet dhe deri te pjesëmarrja në kampionat. Megjithatë, ne do të përpiqemi të ruajmë stemën dhe ngjyrat e ekipit, pavarësisht nga futja e hundëve të pista që bëhen në basketboll.
Tashmë keni rikthyer në pankinë Nikola Milatoviçin. Si erdhi kjo zgjedhje?
Nuk mund të them që ishte një zgjidhje e detyruar, pavarësisht se trajneri ynë ka shkuar në SHBA në kërkim të perspektivës së tij, të cilit ne i urojmë shumë sukses. Milatoviç është figura më e spikatur e shkollës së basketbollit, të paktën në vendin tonë dhe mendojmë që në situatat e krijuara është dyfish i rëndësishëm. Jo vetëm për kapacitetin si trajner dhe si drejtues ekipi, por gjithashtu edhe si pedagog i shkollës së basketbollistëve të rinj, sepse ne na duhet që basketbolli dhe rinia durrsake të marrin trajnime dhe njohuri të sakta mbi këtë sport.
Pra ai do të punojë edhe me ekipet e moshave?
Po, dhe ne shpresojmë që Milatoviçi do t’u japë eksperiencë të çmuar, jo vetëm në stërvitjen e ekipit të parë, por gjithashtu edhe me ekipet U18, U-16 dhe me femrat. Të gjitha këto ekipe do të kenë shumë nevojë për eksperiencën dhe kontributin e Milatoviçit, të cilit i jap urimet e mia që pranoi të rikthehet dhe i uroj shumë sukses në punën e tij, sepse ai këtë radhë me Teutën ka mision jo vetëm përballimin e situatës të keqndërtuar nga FSHB-ja, por edhe në përgatitjen e elementëve të rinj në zhvillimin e basketbollit durrsak.
Ndërkohë me kufizimin e numrit për lojtarët e huaj, tashmë do të jetë edhe më i rëndësishëm kontributi i basketbollistëve vendorë. Por a është e kompletuar Teuta në këtë drejtim?
Të gjitha ekipet po lëvizin sipas konjukturave dhe buxheteve. Të gjithë janë brenda një skeme të krijuar nga një federatë që funksionon keq. Unë uroj që të rikthehet ajo histori apo epope e lavdishme e basketbollit shqiptar, e krijuar nga mjeshtrit e mëdhenj, Fagu, Kuqo, Greva, Kasmi, Shaka etj., të cilët bënë që shqiptareve t’u nxeheshin duart nga duartrokitjet, duke krijuar emocione deri në ngopje në adresë të këtij sportit të bukur. Ne jemi në merkato dhe po bëjmë lëvizjet tona, por vëmë re që kemi një luftë të paprecedentë, të cilën do ta quaja “një luftë sigurimsash”, pasi sapo marrin vesh që po afrojmë diçka kualitative, sulen, improvizojnë dhe shpifin për të na i larguar lojtarët. Por ne do të jemi Teuta, pasi kemi një emër që i ka rezistuar historisë dhe do t’i rezistojë edhe sportit.
Cilin shikoni si kundërshtarin më të fortë dhe si e parashikoni kampionatin?
Ky kampionat do të jetë kampionati i rrumpallës, ashtu sikurse është Federata Shqiptare e Basketbollit. Megjithatë unë dua t’i përgëzoj të gjitha ekipet që po përpiqem për të debutuar me sukses. Po bëjnë përpjekje të lavdërueshme Besëlidhja, Tirana, Flamurtari, Apolonia dhe të gjithë me radhë. Të gjitha ekipet janë për t’u respektuar, por rendimentin e kanë të ulët, sepse mënyra se si e ka organizuar FSHB-ja kampionatin dhe mënyra se si kërkon ta menaxhojë është primitive.
Çfarë prisni nga edicioni i ri?
Presim beteja shumëplanëshe, sportive, administrative dhe uroj të mos shkojnë deri në juridike. Megjithatë i uroj shumë sukses brezit të ri të Teutës dhe ngritje të nivelit sportiv nën drejtimin e trajnerit Milatoviç. Uroj që kampionati i këtij viti të mos jetë kampionati i xhepistëve, por i të pasionuarve.