Bylis dhe Erzeni këtë javë konfirmuan ngjitjen në Superligë pas një edicioni ku dominuan në Kategorinë e Parë. Si ballshiotët që u shpallën kampion ashtu edhe shijakasit, do jenë pjesë e elitës së futbollit tonë sezonin që vjen. Të dy ekipet u udhëhoqën nga golat e shkodranëve, që ishin bomberat e skuadrave të tyre.

Eridon Qardaku ishte njeriu kryesor i këtij sezoni për Bylis. Shkodrani 21-vjeçar është golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Parë me 18 gola në llogarinë e tij.

Ky është sezoni i tretë për sulmuesin në rradhët e Bylis dhe duket se tashmë ai është gati për hapin e madh në karrierë, por ndoshta nuk i dihet dhe ai mund të qëndrojë si pjesë e ballshiotëve edhe në Supeligë.

Një tjetër shkodran që ishte protagonist me golat e tij, por për Erzenin ishte Jasmin Rraboshta. Sulmuesi shtatlart që ka qenë pjesë e disa skuadrave në kampionatin tonë, duke mos përjashtuar edhe Vllazninë, ka qenë njeriu kryesor i Erzenit. Me 14 golat e tij, ai ndihmoi ekipin e drejtuar nga Nevil Dede të rikthehej në Superligë pas disa dekadash.

Golat e shkodranëve kanë munguar në Superligë këtë edicion, por sulmuesit shkodranë dinë të tregojnë edhe njëherë vlerat e tyre. Duke qenë protagonistë me skuadrat e tyre dhe duke qenë më të mirët për Bylis dhe Erzenin që sezonin tjetër do i kemi në Superligë.

Endri ÇINARI