Ndërsa fundi i sezonit po afron, largimi i Dushan Vlahoviçit nga Torino duket gjithnjë e më i mundshëm. Juventusi ka nisur prej kohësh kërkimin për një sulmues të ri që do të mbajë peshën e ofensivës bardhezi.

Një nga emrat që ka qarkulluar me ngulm në media ka qenë ai i Viktor Osimhen, sulmuesit nigerian që aktualisht është në huazim te Gallatasaraj, por ende në pronësi të Napolit.

Osimhen nuk është një emër i panjohur për drejtuesit e Juventusit, veçanërisht për drejtorin Kristiano Xhuntoli, i cili e solli për herë të parë në Serinë A kur ishte te Napoli në vitin 2020. Megjithatë, zërat për një rikthim të mundshëm të këtij bashkëpunimi janë zbehur ndjeshëm pas një deklarate të fundit të vetë Xhuntolit. Në një lidhje telefonike me median turke “Derin Futbol TV”, Xhuntoli ishte i qartë dhe i prerë. “Nuk jemi të interesuar për Osimhenin.

Ato që lexoni në mediat italiane janë vetëm spekulime që synojnë të na vënë nën presion. Juventusi nuk po e kërkon lojtarin.” Këto fjalë kanë heshtur thashethemet mbi një pistë që për shumë duket se kishte marrë seriozisht formë. Megjithatë, duke njohur dinamikat e merkatos, shumë e konsiderojnë këtë deklaratë si një lëvizje taktike për të ulur çmimin e lojtarit apo për të shmangur konkurrencën me klube të tjera të interesuara. Sidoqoftë, fjalët e Xhuntolit janë të qarta dhe nuk lënë shumë hapësirë për interpretime.