Shqipëria do të startojë me Turqinë edicionin e ri kual ifikues për të tentuar përsëritjen e mrekullisë, kuali fikimin në “Euro 2020”. Përballë do të jetë një kundërshtar të cilin kuqezinjtë e kanë mundur jo vetëm në nëntor 2017 me rezultatin 2-3 nën drejtimin e Panuçit, por edhe në të shkuarën kemi fituar gjithashtu.

Një prej tyre, është fitorja me rezultat të thellë 1-4. Arkitekti i atij triumfi në janar 1998, kur edhe nisi të ndërtohej baza e një plejade të rëndësishme të Kombëtares me Lala & CO, Astrit Hafizi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ka analizuar situatën e kuqezinjve, ngjarjet e fundit, objektivat dhe strategjia me lojtarët si Durmishaj që na refuzojnë për Greqinë apo për një tjetër.

Si e shihni gjendjen e Kombëtares për kualifikueset?

Për të dhënë idenë se si janë gjërat, Panuçi i di gjërat edhe më mirë. Mirëpo, unë nga jashtë shikoj dhe them se shumë gjëra janë të paqarta. Gjithsesi, dua të mos ngutem, pasi mund të jenë mendime të parakohshme dhe le të shohim ndeshjen e parë. Shumë gjëra janë të pasqaruara mirë.

Çfarë ka të paqartë dhe të pasqaruar sipas jush?

Më kujtohen vitet e mia në drejtimin e Kombëtares dhe lista ishte e drejtë e imja ekskluzive. Kjo është e padiskutueshme! Jo vetëm kaq, por bashkë me listën merr përsipër edhe përgjegjësitë për rezultatet, pra kostot. Sa i përket listës, ka disa gjëra të cilat nuk shkojnë.

kombetarja

Çfarë konkretisht?

Duke dëgjuar Panuçin se çfarë ka thënë në ditët e para, aktivizimi i lojtarëve që të kenë minuta në këmbë, të jenë me ekipe etj, nuk është zbatuar gjithmonë, pasi ka ndodhur edhe që në Kombëtare të merren edhe lojtarë pa klube.

Ndërkohë që ka pasur të tjerë nëpër ekipe që s’janë ftuar. Apo edhe rastet kur thirreshin ata që nuk luanin fare nëpër klube, në vend të atyre që kishin aktivizime. Edhe këtë herë ka disa gjëra që nuk shkojnë. Megjithatë, të shpresojmë për mirë të premten.

A është e aftë Kombëtarja për ta mundur Turqinë siç tha trajneri?

Ndoshta nga emocionet e një ndeshjeje në fillim të edicionit të ri, për Panuçin apo edhe për lojtarët, dilet në përfundime madhore që tani. Duke dëgjuar edhe Elseid Hysajn, të cilin e takova në një aktivitet në Tiranë për sponsorin e ri, konteksti i ligjëratës i tij apo edhe i trajnerit herë të tjera dhe i drejtuesve të federatës, konsiston në idenë “të fitojmë me Turqinë dhe të kualifikohemi”.

Mendime të cilat koha ka treguar se nuk rezultojnë të arritshme. E them, sepse si presidenti apo edhe trajneri në Ligën e Kombeve deklaruan vendin e parë, por dolëm të tretët. Ndaj, duhet të kemi kujdes me këto deklarata. Na duhet të jemi shumë seriozë në çdo aspekt dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. Të mos tentojmë që të ngjisim pesë-gjashtë shkallë në avancë, por një nga një.

Pse e gjykoni të gabuar deklarimin apo synimin e objektivave të tillë?

Duke dëgjuar nga drejtuesit e federatës për të tillë objektiva, shtohet një lloj ndjenje për të mos thënë presion, apo shtohet më tepër tensioni apo pesha e rëndësisë te ne në ditën e ndeshjes dhe pikërisht në çastin kur vjen momenti i përqendrimit tek ai 90-minutësh, hutohemi sepse jemi shumë të ngarkuar me idenë e kualifikimit. Mendimi im është që të fokusohemi te Turqia dhe të fitojmë, siç është dëshira e të gjithëve. Pastaj për kualifikimin, unë mendoj se është i vështirë edhe për grupin që kemi.

kristian panuci

Turqia vjen me trajner të ri, si prisni të jetë?

Nëse do të vazhdonte me trajnerin tjetër, edhe me rezultatet që po kalonte Luçesku, mendoj se mund të ishte disi në favorin tonë, sepse edhe në Turqi nuk po shkonin gjërat ashtu siç duhet. Ndërrimi i trajnerit nuk është në favorin tonë. Gynesh unë e njoh si trajner disa vite më parë.

Përvoja, eksperienca, puna dhe pjekuria e tij në krahasim me Panuçin është shumë e avancuar, pavarësisht se trajneri ynë vjen nga kampionati italian dhe ai nga kampionati turk. Ndaj, gjërat nuk janë shumë në favorin tonë. Megjithatë, në futboll nuk i dihet, sepse kur mendon se je inferior apo superior, gjërat ndryshojnë.

Kemi realisht shanse të fitojmë?

Ne e kemi të vështirë ndeshjen të them të drejtën, edhe pse luajmë në Shqipëri. Duke parë lojtarët kundërshtarë, ku edhe pse pjesa më e madhe prej tyre vijnë nga kampionati turk, ata aktivizohen vazhdimisht. Defekti më i madh i yni është se marrim lojtarë nga jashtë, por shpesh aktivizimi i tyre lë shumë për të dëshiruar.

Trajneri tha se “nuk dua të ofendoj askënd, por niveli i Superiores është i tillë që i jep shumë pak Kombëtares”. Sa dakord jeni?

Edhe unë, deri në një farë pike jam dakord me Panuçin. Duhet ta pranojmë që kemi një nivel jo të lartë. Kemi ndeshje që zhvillohen… siç zhvillohen te ne. Nganjëherë të drejta dhe ndonjëherë edhe jo të drejta. Këtë na e bën atmosfera, mënyra e zhvillimit të ndeshjeve me pak tifozë apo herë të dënuar dhe herë pa interes.

Luhet në terrene që nuk janë aty ku duhet, me nivel që lë për të dëshiruar apo edhe me terrene ku pjesa më e madhe prej klubeve stërviten akoma në fusha me bar artificial. Gjë e cila nuk është e pranueshme, madje është shumë e dëmshme për futbollin tonë.

Unë them që dy apo tre elementë ekzistojnë dhe nuk ka më shumë se kaq. Edhe këto lojtarë që mund të evidentohen, duke u përfshirë në këto elementë të kampionatit, bëjnë që dashje pa dashje të kenë nivel për të mos qenë aty ku duhet për Kombëtaren.

kristian panuci

Panuçi e nisi me përjashtimin e Cikalleshit, ndërkohë që së fundmi përjashtoi Strakoshën. Cili është opinioni juaj?

Mendoj se është pak e ekzagjeruar, sepse disiplina nuk ka qenë problem i ekipit tonë kombëtar. E them këtë, sepse nëse do të ishte kështu, atëherë po flasim për një hap të mirë për të ndryshuar dhe vendosur bazat e disiplinës në Kombëtare.

Por mendoj se disiplina ka qenë prezent, pasi nuk kemi qenë të shthurur. Edhe rasti i Cikalleshit më është dukur si ekzagjerim. Për Strakoshën them që është e tepërt që të arrihet në konkluzionin për të përjashtuar nga grumbullimi një lojtar.

Keni qenë trajner i Kombëtares, ju ka ndodhur rast i ngjashëm?

Po. Flasim për një periudhë në të cilën kishim shumë vështirësi në grumbullimin e lojtarëve në kohë, për shkak të vështirësive me avionët, biletat, vështirësive ekonomike të federatës dhe nuk ishte si sot, që mund të gjesh avion kur të duash. Kujtoj Bledar Kolën.

E keni përjashtuar?

Po, i thashë të mos vinte. Ne kishim dy ndeshje në transfertë, të shtunën dhe të mërkurën, me Portugalinë dhe me Ukrainën dhe nëse s’gaboj me ditët, grumbullimi niste të hënën, por ai më kontakton të mërkurën e javës përpara ndeshjeve. E gjithë kjo, prej neglizhencës së tij.

E theksoj që nuk ishte i lehtë udhëtimi, por gjithsesi ai kishte neglizhuar shumë dhe unë i thashë të mos vinte. Madje klubi i Panathinaikosit në atë kohë na kërkoi ndjesë për sjelljen e lojtarit. Unë mora masë për ta përjashtuar dy ndeshje që të mos vinte, por referuar rastit të Strakoshës në ditët e sotme, nuk janë të ngjashme.

Pse jo? Nga ndryshojnë?

Sepse Strakosha ka pasur një justifikim brenda kontureve njerëzore. Jemi njerëz dhe mund të na ndodhë në rrugë të bllokohemi. Mund të ndodhë trafik apo grevë në një rrugë. Apo një problem i caktuar që të pengon disa minuta apo orë dhe humb një avion.

Nuk më duket neglizhencë, por vonesë për subjekte të jashtme. Gjithsesi, edhe në atë rast që ju tregova, Bledari erdhi në grumbullimin e radhës, kërkoi të falur për çfarë kishte bërë dhe ka qenë njeriu më korrekt dhe kam respektin më të madh për kontributin në ekipin kombëtar.

Po Strakosha nuk ka neglizhuar, pasi të tjerët kanë ardhur në kohë?

Për Strakoshën, nuk më duket aspak neglizhencë dhe e them këtë, sepse për më tepër, ai ka të atin menaxher dhe bëhet fjalë për një njeri që e di mirë se çfarë është Kombëtarja, një ishlojtar i saj, një ish-kapiten i saj dhe një njeri që ka qenë shembull në Kombëtare dhe do të ishte pengesë e madhe për lojtarin që të neglizhonte. Nuk ka mundësi ta përkrahte po të neglizhonte.

Ndaj them e tepërt, për të mos bërë ndonjë aludim që një trajner vendoset para përgjegjësisë mes dy apo tre më të mirëve dhe zgjedh këtë mënyrë për t’i dhënë mundësinë ndonjërit për të luajtur. Nëse do të ishte kjo që thashë, nuk më duket serioze. Shpresoj shumë që të mos jetë kjo.

Është vendosje e disiplinës apo rrezikon të shndërrohet në “autogol” brenda grupit në Kombëtare?

Kam frikë se është më shumë kjo e dyta. Panuçi, me një vendim të tillë, ka marrë përsipër përgjegjësi të mëdha. Shpresoj që të ndodhë e kundërta, pra që skuadra të jetë e mbledhur dhe të japin maksimumin në fushë. Në të kundërt, Panuçi do të marrë me vete pasojat.

Më kuptoni, se unë jam njeri që e dua shumë disiplinën. Por në këtë rast, nuk është kjo një mungesë disipline e lojtarëve. Jua them me bindje që disiplina është kryesore në skuadër, por jo deri në këtë pikë.

Si e kujtoni fitoren 1-4 me Turqinë?

Shqipëria ka qenë e fortë për kohën, sepse në atë kohë ne krijuam grupin e Kombëtares për edicionin e “Euro 2000”. Aty u vunë bazat e një ekipi që unë lashë, ku u afruan Lala e shumë të tjerë. Përballje që ia vlente për ne, pavarësisht se ishte miqësore. Aty ndërtuam idetë si do luanim dhe më shërbeu shumë.

Jam shumë i kënaqur me çfarë kam bërë në atë kohë, pasi ajo bazë mbeti gjatë edhe në vitet e ardhshme me Brigel dhe Bariç. Koha më dha të drejtë, duke ditur që i lashë elementë kombëtares për shumë vite. Ishte një nga fitoret më të thella të Kombëtares jashtë fushës, për të mos thënë më e thella.

Si e komentoni largimin e Durmishajt te Greqia dhe a duhet të sillej ndryshe federata me një lojtar të tillë, qoftë edhe duke e “djegur”?

Kam dëgjuar edhe Bushin në “Zona Gol” apo edhe Panuçin në raste të ngjashme. Mua personalisht nuk më pëlqen kur lojtarëve të tillë u vendoset diçitura që “meqë nuk erdhën me ne, atje do të dështojnë”. S’më duket normale, sepse është zgjedhje e tyre. Në fund të fundit, kështu kemi punuar në vitet e fundit në Kombëtare.

Jemi munduar t’i marrim lojtarët të gjithë gati, sidomos ato të Kosovës që na kanë shërbyer që pas vitit 2003 e mbrapa. Kjo do të ndodhë kur ka shumë lojtarë që në pjesën më të madhe nuk janë begenisur fare. Ka pasur shumë lojtarë që i kemi neglizhuar, por ka edhe të tillë që abuzojnë për t’u justifikuar dhe thonë që s’jemi kontaktuar. Unë mendoj se politika nuk ka qenë shumë e drejtë.

Pse jo dhe çfarë rrezikojmë nga ajo që ka ndodhur?

Pas gati 15 vjetësh, kur tani ne kemi kthyer sytë nga lojtarët e Shqipërisë, “sharra ka hasur në gozhdë”. E na duket çudi nëse ndonjëri nuk na pranon. Atje ata lojtarë janë rritur, formuar, mbështetur në infrastrukturë të jashtëzakonshme dhe janë nderuar me ftesën, ndaj duhet t’i pranojmë zgjedhjet e tyre. Ne kemi pasur edhe gabime në rastet kur jo vetëm që lojtarët nuk janë vëzhguar si duhet, por edhe ka ndodhur që janë thirrur një herë por nuk janë mbajtur më afër.

Ka shanse Shqipëria të kualifikohet?

Unë e quaj shumë të vështirë. Megjithatë, dorë nuk hiqet asnjëherë. Çdo trajner hyn në çdo ndeshje për ta fituar. Nëse duam të shpresojmë, ne duhet të kemi fatin me vete. Por, në fakt një fat na ndihmoi në europianin e shkuar kur ishim në Francë dhe duhet ta pranojmë. Nëse e presim, më duket e vështirë, pasi një herë vjen fati, pastaj duhet ta kërkosh. Megjithatë, në futboll ndodh gjithçka dhe duhet të provojmë.