Prej shumë javësh është zhvilluar në Shkodër kupa në nderim të legjendës së portës shkodrane dhe asaj – Paulin Ndoja. Një respekt ky ndaj kësaj figure që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë futbollit, tashmë në rolin e përgatitësve të portierëve tek Akademia Vllaznia.

E organizuar nga Zyra Rajonale e FSHF-së në Shkodër nën drejtimin e Hysen Zmijanit, kjo kupë është zhvilluar për grupmoshat U11 dhe U13 dhe në të kanë marrë pjesë shumë ekipe të kësaj zone.

Pasditen e djeshme janë zhvilluar edhe ndeshjet finale për secilën grupmoshë. Për 11 vjeçarët ekipi fitues i kupës “Paulin Ndoja” është shpallur ai i Besëlidhjes i cili ka mundur në finale ekipin Scutari.

Besëlidhja është shpallur fituese e kupës edhe për 13 vjeçarët duke mundur në finale 1-0 ekipin “Djelmnia shkodrane”.Pas përfundimit të ndeshjeve, është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të diplomave dhe kupave për më të mirët.

Organizatorët kanë dhënë kupa edhe për arbitrat më të mirë teksa si kryesor është vlerësuar si i tillë në këtë kupë Brendon Qallia, ndërsa si asistenti më i mirë Erjon Zuesi.

Sakaq, lojtarët e perspektivës janë shpallur Ensar Hasaj i ekipit Scutari për U11 dhe Albi Koleci i ekipit Besëlidhja për U13.Ndërkohë, lojtarët më të mirë të kupës “Paulin Ndoja” janë shpallur Brendon Bilani i ekipit Besëlidhja për U11 dhe Gjorgjino Zhuja i ekipit “Djelmnia shkodrane” për U13.

Vetë mjeshtri Ndoja është shprehur i emocionuar për këtë kupë të organizuar me emrin e tij dhe për “Shkodra Sport” është shprehur: “Kjo është një kënaqësi shumë e madhe dhe për këtë dua të falenderoj Hysen Zmijanin për organizimin e kësaj kupe me emrin tim. Ndjej një sadisfaksion të madh në këto momente dhe krenar për atë çfarë kam dhënë për futbollin, por do të vazhdoj të jap derisa të vdes”.
© shkodrasport.com