Paraqitja dinjitoze dhe goli magjik i Dejvi Bregut, nuk kanë mjaftuar që Dinamo e Ilir Dajës, të largohet me një rezultat pozitiv nga stadiumi “Poljud” duke u mposhtu me përmbysje 2-1 nga kroatët vendas.  

Në minutën e 37-të, skuadra shqiptare kaloi e para në avantazh, me anë të Dejvi Bregut, që me një gjuajtje të kalibruar nga jashtë zonës, e dërgoi topin në trekëndësh, duke çuar peshë zemrat e tifozëve blu. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 0-1 të Dinamos, ndërkohë që në fragmentin e dytë të sfidë, vendasit arritën të përmbysnin gjithçka. 

Fillimisht ishte 17-vjeçari Durdov, që vendosi baraspeshën e përkohshme, ndërkohë që në minutën e 63-të, një gafë e kapitenit Bruno Dita në mbrojtje, i dhuroi golin e fitores Hajdukut që arriti të shinonte me anë të Bambës.  

Pavarësisht humbjes, shanset e Dinamos për një kualifikim në duelin e kthimit në “Air Albania”, pas 1 jave duken reale. Edhe pse me diferenca të frikshme për sa i përket vlerës në treg, skuadra shqiptare në pjesën më të madhe të ndeshjes, luajti si e barabartë me Hajdukun e Splitit.  

FT: HAJDUK SPLIT – DINAMO 2-1

Durdov 48′, Bamba 63’/ Bregu 36′