Igli Tare është një sulmues i mirëfilltë, kjo duket. Fizik, konkret, me këmbët në tokë, i mbështetur fort në histori. Ai është rritur në Shqipëri duke mbështetur Milanin e madh, dhe kur flet për skuadrën që ka në mendje, u referohet vazhdimisht vlerave të klubit, nga aty dëshiron të nisë.

Ka luajtur me Roberto Baxhon dhe Pep Guardiolën dhe e di që kampionët në një dhomë zhveshjeje bëjnë diferencën e, për këtë arsye, veprimi i tij i parë si drejtor sportiv ka qenë të marrë Luka Modriçin, një fitues i “Topit të Artë”. Tare flet me gazetarët në paraqitjen e tij të parë informale si drejtues i Milanit dhe tregon se ndien përgjegjësinë e të qenit pjesë e këtij klubi.

Ai falënderon “tërë klubin për mikpritjen” dhe thotë: “Historia e lavdishme e Milanit më jep një përgjegjësi të madhe, për të dhënë maksimumin dhe për të kontribuar në kthimin e klubit atje ku e meriton, në majat e futbollit italian dhe europian”. Milanin që ka në mendje, mund ta kuptosh mes rreshtave, një Milan me Menja në portë dhe një mbrojtje pothuajse të re, pa Teo Hernandezin dhe ndoshta me Leonin si qendërmbrojtës me potencial. Një mesfushë e rindërtuar, me cilësi, që kombinon pasimin me intensitetin. Sulmi do të nisë nga Leao dhe një numër 9 i ri, që aktualisht nuk do të jetë Vlahoviç e as Ken, të cilët janë larg nga profili teknik dhe ekonomik që klubi kërkon në merkato.

MODRIÇ– “Kam folur me të personalisht, pashë një djalë me shumë dëshirë për të qenë konkurrues. Ardhja e tij është thelbësore për një grup që ka nevojë për lojtarë të tillë, me lidership. Pyetja e parë që Luka më bëri ishte: ‘A do të jemi një skuadër e ndërtuar për të fituar kampionatin?’. Ka fituar gjashtë Champions dhe dëshiron të jetë protagonist menjëherë. Është i rëndësishëm për atë që transmeton: mentalitet, lidership dhe profesionalizëm. Fakti që është tifoz i Milanit, e bën këtë histori edhe më emocionuese. Për të do të ishte perfekte një sezon si protagonist, sepse në fund të sezonit është Kampionati Botëror”.

MERKATO- “Pozicioni më i rëndësishëm është numri 6, mesfushori para mbrojtjes. Më pas do të rregullojmë pjesën tjetër. Mesfusha është repart që do ndryshojë më shumë, duam të rrisim cilësinë e lojës. Do ndërhyjmë te mbrojtësi i majtë dhe i djathtë. Ata duhet të jenë të rinj, të përshtatshëm për sistemin e lojës, me perspektivë. Nëse do kemi largime në mbrojtje, do bëjmë një blerje edhe në qendër. Në sulm, nëse largohet ndonjë anësor, parashikojmë të marrim një ose dy lojtarë. Përveç Modriçit, mund të marrim edhe një ose dy lojtarë me përvojë, pastaj të rinj me potencial”.

SULMUESI- “Po kërkojmë një lojtar për ta vënë në konkurrencë me Gimenezin, tek i cili kemi besim maksimal. Duhet të jetë një qendërsulmues i mirëfilltë, që bën diferencën në zonë dhe ndihmon skuadrën të ngjitet përpara. Kjo na ka munguar pas largimit të Zhirusë. Po kërkojmë në Itali dhe jashtë saj. Ekzistojnë mundësitë e tregut, dhe nëse bindem se është e duhura, do e shfrytëzoj. Kamarda? Kemi marrë vendimin ta huazojmë dhe kemi mbyllur marrëveshjen me Leçen”.

SHTYLLAT E SKUADRËS- “Menja nuk largohet, do të luajë me Milanin edhe sezonin tjetër. Mendoj se Leao është një kampion i vërtetë, janë të paktë lojtarët në futboll që vendosin vetë ndeshje. Rafa është thelbësor për skuadrën dhe projektin. Unë dhe trajneri kemi folur me të, ishte një surprizë e bukur, është një djalë shumë konkurrues, pyetjet e tij kishin të bënin me përforcimin e skuadrës. Nuk ka treguar ende gjithçka që mundet. Për të gjithsesi nuk kemi marrë ende oferta”.

TEO- “Cilësitë e Teos nuk vihen në diskutim. Vlerësimet varen edhe nga dëshira e tij për të kërkuar një eksperiencë të re. Shitja nuk është ende e përfunduar, po punojmë”.

LOFTUS ÇIK– “Si ta zëvendësojmë Rejndersin? Milani ka Loftus-Çikun, një nga mesfushorët më të kompletuar në Europë. Mund të jetë kyç për sezonin. Për cilësinë e tij nuk diskutohet, por duhet të jemi të kujdesshëm përsa u përket dëmtimeve”.

MUSAH- “E konsideroj Musahun një lojtar shumë të mirë, por po kërkojmë futbollistë me karakteristika që i përshtaten projektit me Alegrin. Po kërkojmë mesfushorë defensivë për një mesfushë me tre, dhe Musah nuk i ka këto cilësi, ai mund të luajë në formacion me dy ose si mesfushor qendror”.

MILANI QË ËNDËRRON- “Nuk duhet të fshihemi, është e rëndësishme të jemi konkurrues që në fillim. Fillimisht duam të luajmë me mesfushë me tre, por që mund të transformohet gjatë ndeshjes. Skuadra duhet të jetë kompakte, të dominojë ndeshjet, të ketë lojtarë me zotërim të mirë të topit. Një mesfushor difensiv si Modriç e ngre ndjeshëm nivelin teknik të skuadrës, që ishte tashmë i mirë. Kampionati mund të na japë kënaqësi të mëdha, duhet të jemi protagonistë që në fillim dhe të transmetojmë entuziazëm te tifozët”.

VLERAT QË DO TË NDËRTOJË- “E kam pritur me shumë entuziazëm këtë mundësi, të punoj për një klub me një histori kaq të lavdishme. Kam realizuar një ëndërr, të punoj në klubin që kam mbështetur që fëmijë. Më pëlqen shumë ndjesia e përkatësisë dhe përpiqem ta transmetoj atë. Duhet të sjellim lojtarë që e ndiejnë dhe e përfaqësojnë historinë e Milanit”, tha ndër të tjera drejtori sportiv Igli Tare.