Në nderim të kampionit të madh të notit shqiptar Enver Muriqi.

Para pak ditësh u nda nga jeta notari legjendar shkodran Enver Muriqi, “Mjeshtër i merituar i sportit” dhe “Mjeshtër i Madh”, i cili shkroi emrin në historinë e sportit shqiptar si një kampion i madh i sporteve të ujit.

Enver Muriqi lindi në Shkodër më 21 janar 1934, në lagjen Tophanë, e njohur si një nga lagjet më të vjetra të këtij qyteti, shtrirë pranë livadheve që lagen nga ujrat e liqenit të Shkodrës. Familja e tij erdhi nga fundi i viteve ’30 në këtë qytet, në kërkim të një jete më të mirë. Ata emigruan nga Muriqi i Krajës, një fshat i vogël në prehër të malit të Rumijes, nga ku, si nga një ballkon i madh rrokej me sy gjithë hapësira e liqenit, Shkodra e lashtë e përtej Alpet krenare.

Liqeni i Shkodrës ishte edhe për këtë familje pjesë e pandarë e jetës. Lidhjet me Shkodrën kjo krahinë i kishte krijuar prej qindra vitesh mbi ujërta e liqenit ku shkonin e vini sule e varka të tjera që zbarkonin në skelën e Pazarit të Vjetër.

Enver Muriqi lindi dhe u rrit në lagjen Tophanë, ku fëmininë e varfër do t’ia pasuronte liqeni i madh e zemërgjërë, i cili që në fëmini e ftoi në gjirin e tij, për ta bërë më pas si bir në shpirt, ashtu si shumë e shumë djem të tjerë të Shkodrës, të Shirokës, Zogajve e Anës së Malit, të cilët më vonë do të bëheshin kampionë e rekordmenë.

Enveri fëmininë e tij do ta kalone më së shumti livadheve të Tejbunës, brigjeve të liqenit të madh me të cilin do të lidhej aq shumë deri në ditët e fundit të jetës. Që në pranverë ai do të kridhej në ujërat e tij, si një spartan i vogël, duke notuar e notuar, i bindur në ëndrrën e tij se një ditë do ta nderonte këtë liqen, këtë lagje dhe këtë qytet.

Dhe ëndrra filloi të zhdavaritej për t’u bërë realitet në vitin 1949, kur në moshën 15 vjeçare merr pjesë në krosin masiv që hapte për herë të parë një sezon noti dhe zë vendin e parë për moshat. I lumtur ndjehej liqeni, por më i lumtur djali që ishte rritur në ujërat e tij. Ky aktivitet do të bëhej edhe pikënisja e gjithë karrierës së tij sportive si pjesëmarrës në të gjitha kampionatet e kupat në not, vaterpol e kanotazh, por më vonë edhe si trainer e gjyqtar i kategorisë së parë.

Në vitet 1952-1953 zhvillohet në Shkodër kampionati kombëtar i të rinjve, ku, tashmë si një notar i formuar zë vendet e para duke garuar në stilin “bretkosë”, një performancë që do ta ruante e prefeksiononte gjatë gjithë karrierës së tij.

Djali i liqenit tani do të bënte emër edhe në arenën kombëtare, pasi në vitin 1954 thirret ushtar për t’u inkuadruar në ekipin e “Partizanit”, ku për dy vjet korr sukseset e një kampioni të madh dukë thyer 7 rekortde kombëtare e duke zënë 6 vende të para në kategorinë e të rriturve. Po me këtë ekip për dy vjet rresht shpallet kampion në vaterpol. Me ekipin e “Partizanit” ai shpallet notari më i mirë i kampionatit dhe merr tirullin “Mjeshtër Sporti”, kur ishte vetëm 20 vjeç.

Në vitin 1956 rikthehet në Shkodër, pranë familjes, shoqërisë dhe liqenit të tij të dashur si një kampion i plotësuar me pjekurinë fizike e profesionale, duke u bërë kështu notari më i vlerësuar i ekipit të “Vllaznisë”. Për shtatë vite rresht ai përmirëson dhe rithyen rekordet e tij, si një kampion absolut në stilin “bretkosë” në 100 e 200 m. Ndërkohë ai është tranier dhe vaterpolist i ekipit të “Vllaznisë” i cili për pesë vjet rresht shpallet kampion i Shqipërisë.

Është mesi i viteve ’60, kur Enveri ndërpret aktivitetin e tij si notar, por asnjëherë lidhjet e tij me këtë sport të bukur. Tashmë si tranier i ekipit të të rinjve thërret në ndihmë mikun e tij të fëminisë, liqenin e madh, i cili gumëzhinte çdo verë nga djem e vajza të talentuar që ishin rritur, ashtu si Enveri në ujërat e tij të ëmbla e të dashura. Për 7 vite ky ekip do të shpallej kampion i Shqipërisë.

Talentet, Enver Muriqi, si një mësues i devotshëm, dilte e i qëmtonte vetë, i kërkonte në shkollat e lagjet e qytetit, në fshatrat buzë liqenit, i zbulonte dhe i bënte sportistë të shquar.

Në Shkodër ka shumë familje që kanë bërë emër në sporte të ndryshme, por në not më të shquarat janë familja Muriqi, Shestani, Lishi e Ibrahimi.

Në familjen Muriqi ka lënë gjurmë si një tranier i madh edhe vëllai i madh i Enverit, Ismaili, i cili ka drejtuar dhe ka fituar trofe kampionatesh e kupash me ekipin e të rriturave të “Vllaznisë” si dhe atë të kanotazhit, por dafina e sukseseve ka zbukuruar nga kjo familje edhe breza të tjerë sportistësh që kanë qenë kampionë e rekordmenë të shquar, ku kanë spikatur mbesa e tij Kudrete Kozmaj, kampione, rekordmene dhe traniere e ekipit tonë kombëtar, nipi i tij Mehdi Muriqi kampion, rekordmen e medalist spartakiadash, djali i tij Agim Muriqi, si dhe nipi tjetër Zamir Kozmaj vaterpolistë kampionë, për të ardhur tek të gjithë nipërit e mbesat që kanë qenë pjesëtarë të ekipeve të të gjitha moshave.

Në vitin 1987 Enveri përsipër merr si tranier ekipin e vaterpolit, tashmë me notarë të rinj e të talentuar dhe shpallet me të për pesë vjet kampion i Shqipërisë, deri në vitin 1992, kur si shumë aktivitete të tjera u mbyllën ose u lanë në harresë.

Ndoshta koha mund të harrojë a mund të jetë mospërfillëse, por jo Enveri, karakteri i të cilit nuk shquhet për të tilla cilësi. Liqeni i tij e thërret dhe ai si një djalë i bindur shkon pranë tij. Ai me gruan e tij krijojnë një rezidencë të vogël buzë liqenit në fshatin Zogaj, ku do të qëndrojë në shoqërinë e flladit dhe valëve të ujërave të pastra në të cilët është rritur. Ai u bë shpejt një anëtar i nderuar i këtij komuniteti, pasi nuk ishte thjesht një banor i ri që kishte ardhur për pushime, por një personalitet me një biografi brilante si njeri e sportist.

Për disa vite, pothuaj vullnetarisht, ngriti dhe drejtoi ekipin e të rinjve, duke i stërvitur në ujërat e liqenit, pasi fatkeqësisht në Shkodër nuk ka asnjë pishinë ku mund të stërviten këta ekipe. Pavarësisht nga këto vështirësi pasioni dhe dashuria për sportin, për zbulimin dhe evidentimin e talentëve të rinj, për vazhdimësinë e këtij sporti të bukur e mbajtën Enver Muriqin gjithmonë të ri.

Lumturia dhe krenaria e tij shfaqeshin me një buzëqeshje karakteristike, pa bujë e fjalë të mëdha, sepse i tillë ishte ai: njeri i veprave të mira. Ai këto i quante vitet më të bukura. Kënaqësia e madhe e punës shfaqej me gjithë forcën e saj në portretin e tij, në sytë, në mimikën, në buzëqeshjen e tij duke e bërë krenar për të gjithë e veçanërisht për nipin Sidrit Muriqi që e kishte rritur, stërvitur e bëra kampion që në moshën 10 vjeçare, në ato ujëra të liqenit të madh ku ishte rritur edhe vetë.

Vitet kalojnë pa u ndjerë, por për Enverin ato janë gjithmonë vitale. Portreti dhe fiziku i tij pothuajse nuk ndryshojnë edhe pasi i kalon të tetëdhjetat, me trupin e formuar të një sportisti pranë ujit dhe me një paraqitje ekselente në jetën e përditshme. Me një gëzim gati fëminor merr pjesë në veprimtari kombëtare të veteranëve të notit, ku me grintë e shpirt gare tenton lavdinë. Dhe ajo i vjen, i vjen sepse e ka ndjekur prapa që në rininë e tij, kur kishte fituar titullin e veçantë, “djali i liqenit”.

Aktiviteti i fundit i këtij notari legjendar daton më 24 prill 2016 në Tiranë ku u zhvillua Kampionati kombëtar i Veteranëve dhe ku ai në moshën 82 vjeçare zuri tre vende të para.

Figura e këtij sportisti të madh është nderuar nga gjithë qyteti i Shkodrës dhe bota sportive shqiptare, por edhe nga institucionet lokale e qëndrore duke i akorduar titujt “Mjeshtër sporti”,”Naim Frashëri” të klasit të dytë, “Mirënjohja e Qytetit” dhe “Legjenda e Notit Shkodran” për të ardhur te titulli i lartë “Mjeshtër i Madh” akorduar nga Presidenti i Republikës.

Enver Muriqi u largua nga jeta në moshën 88 vjeçare duke lënë prapa emrin e një njeriu të mirë, e një qytetari të nderuar dhe një kampioni të madh.
Osman KOZMAJ