Kampione e padiskutueshme prej vitesh në sportin e xhudos, ndërkohë që tashmë bën edhe rolin e trajneres. Aurora Shkoza nuk mund të dilte kundër familjes dhe padyshim që do të bëhej pjesë e këtij sporti, ashtu si babai dhe dy vëllezërit e saj.

E ndjek këtë sport me shumë dëshirë e pasion, duket e lidhur ngushtësisht me të. Aurora ka edhe një mesazh shumë domethënës për të gjithë, që të merren me sport sepse ai është shumë i rëndësishëm për çdo njeri.

Ajo ndërkohë, ka pranuar të flasë për “Shkodra Sport”, e intervistuar nga gazetarja Fabiola Caka teksa i është përgjigjur në këtë mënyrë pyetjeve të saj:

– Aurora, si ka lindur dhe është zhvilluar ky pasion për këtë lloj sporti tek ju?

Në fakt nuk kishte si të ishte ndryshe. Jam rritur në një familje sportistash. Aq më tepër kur babai si themelues i sportit të xhudos në Shqipëri formoi ekipet e para duke nxitur grupmosha të ndryshme në këtë disiplinë sportive, ndaj nuk kishte sesi unë të isha jashtë kësaj rrezeje e cila si rrjedhojë më perfshiu.

Isha në moshën 4 vjeçare dhe të tregohem e sinqertë nuk mbaj mend ndonjë datë fillimi, por di që u lidha shumë me tapetin, me misionin tonë në drejtim të ndikimit të brezave dhe me atë që gradualisht më nxiste të sfidoja kufijtë e mi në drejtim të progresit të vazhdueshëm mendor-fiziko-shpirtëror.

– Jeni kampione kombëtare për vite me rradhë. Sa e kënaqur jeni me arritjet tuaja deri më tani?

Ndërkohë që vitet kalonin, aftësitë, intensiteti i të ushtruarit, përgjegjësit dhe synimet shkonin paralel.
Me të vertetë që të jesh kampione kombëtare për vite me rradhë është bukur.

Realisht që kampionatet kombëtare nuk i mendoja në plan të parë, por më tepër fokusohesha në drejtim të rritjes së nivelit në atë që unë kërkoja tek vetja dhe në arritje të rezultateve ndërkombëtare. Pa lënë mbas dore studimet apo përgjegjësi të tjera që i ndjeja në vete. Kënaqësia më e madhe e imja ishte rezultati ekipor, rritja e ekipit, mesazhet edukativo-formuese që ekipi përcillte.

– Si stërvitesh, si punon?

Stërvitja ime ka kaluar në faza të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme kohore. E kam filluar me stërvitje në katin e dytë të shtëpisë, aty ku babai dhe familja i kishte ofruar sportit dhe brezave “shtëpin e kthyer në palester”, përveç të tjerash. Për vite me rradhë jam stërvitur aty. Të gjithë sëbashku ishim një familje e madhe,ku sporti na bëri të ndanim shum përjetime sëbashku.Përjetime që na rriten gjithmon e më shumë.

Aktualisht kemi ekipe në Vau Dejës dhe Shkodër. Mund të them se janë kaluar breza të tërë me numër të konsiderueshëm. Aktivitetet dhe arritjet kanë qenë jo të vogla. Punojmë së bashku për të dhënë më të miren dhe kjo ka më tepër rendësi.

– Bëni prej kohësh ndërkohë edhe detyrën e trajneres gjithashtu. A është e veshtirë t’i bëni të dyja?

Po e vertetë. Nuk ka qënë e lehtë, sepse përballë janë dy interese, ai i rritjes personale dhe ai i rritjes së ekipit. Duhej të gjeja një ekuilibër në lloje të ndryshme përgjegjësish.

Por mund të them se roli i trajneres është një kënaqësi më vehte përveç të tjerash. Ne mësojmë që atë të cilën dimë, ta ndajmë me të tjerë dhe këtë gjë ne mundohemi ta bëjmë duke mos u kursyer në atë që zotërojmë. Duke “dhëne” në fakt “marrim” dhe ndihemi mirë kur përcillen dhe përvetësohen mesazhet e duhura tek brezat e rinj.

Kohët e fundit, mbas rezultatit të arritur në Kampionatin Ballkanik në vitin 2018 e kam vendosur veten më tepër në rolin e trajneres. Tashmë me ndryshimin e fokusit tim, kjo besoj më përshtatet më shumë aktualisht në atë që ndiej të jap.

– Cili është mesazhi juaj për të gjithë ato që kanë deshirë të merren me sport e sidomos për sportin e bukur të xhudos?

Mesazhi im është një mesazh falenderues dhe mirënjohës në drejtim të të gjithë atyre që punojnë pa u lodhur për ruajtjen e vlerave, mbarëvajtjen e brezave, grupmoshave dhe sportit në përgjithësi, pavarësisht kushteve apo pengesave.

Eshtë një mesazh- apel në drejtim të familjeve, strukturave, mediave, aktorëve të cilët janë ndikues që të marrin përgjegjësi të përbashkëta në drejtim të edukimit, vlerave, formimit të fëmijeve, të rinjve dhe jo vetem me fokus materialen.

Çdo fëmijë pa dallim ka nevojë për vemendje, mundësi, drejtim, besim, shpresë e mbi të gjitha dashuri për t’u rritur e kontribuar me vlerat që i duhen realisht vendit tonë.
Intervistoi: Fabiola CAKA