Luan Zmijani është një nga trajnerët e akademisë Vllaznia nga duart e të cilët në vitet e fundit kanë dalë shumë futbollistë me perspektivë dhe të afirmuar në klube të ndryshme në vend. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i shkodranëve komenton lëvizjet e fundit te kuqeblutë, ku hedh dritë edhe mbi shkaqet që i kushtuan vendin e punës trajnerit Tomas Brdariç.

Pa dyshim, dalja nga objektivi madhor, kostoja financiare apo ndonjë fërkim me drejtuesit kanë bërë që të shkarkohet ngarkesa.

Pozitiv ai e quan faktin se ekipi i është besuar Elvis Plorit dhe apeli i tij është që drejtuesit të besojnë më shumë nga produktet e akademisë dhe për këtë gjë duhet të ndjekin shembullin e Tiranës.

Luan, a ishte zgjedhja më e mirë e momentit te Vllaznia largimi i trajnerit Brdariç?
Me thënë të drejtën, nuk i di arsyet pse është larguar. Nuk jam i sigurt për këtë lëvizje, por e rëndësishme është që vazhdimësia e skuadrës i është besuar Elvis Plorit.

Besoj se me punën që ka bërë Brdariç, stafi do të ecë përpara, pasi është një eksperiencë e fituar. Plori ka punuar për një kohë të gjatë me trajnerin gjerman dhe çfarë ka pasur për të mësuar prej tij e ka bërë dhe mund të ketë arritur t’i marrë gjërat më të mira atij. Një lëvizje e duhur, besoj.

Lëvizje të duhur quani largimin e Brdariçit apo besimin për Plorin?
Lëvizja e duhur ka të bëjë me besimin e drejtuesve për Plorin. Ndërsa trajneri diçka do të ketë pasur. Mendoj se një fërkim kanë pasur.

Duket se prej këtij preteksti vendosi të ikte, që nisi që me braktisjen e intervistës pas humbjes me Tiranën. Gjithsesi, problemet mund të kenë qenë më të hershme, jo se u kapën vetëm tek intervista.

Dalja nga objektivi titull apo humbja me Tiranën mund t’i ketë kushtuar më shumë trajnerit gjerman?
Humbja me Tiranën e rëndë ka qenë, por të humbësh me kryeqytetasit e vendit të parë dhe me diferencë të madhe, besoj se nuk ka ndikuar aq shumë në vendimin për trajnerin.

Por me këtë humbje te Vllaznia është mbyllur kapitulli për titullin kampion. Tani lufta është për të kapur Europën, që janë dy rrugë: përmes kampionatit dhe fitimit të Kupës.

Xhaferi e paralajmëroi vendimin që pas humbjes me bardheblutë kur tha se nuk ka të paprekshëm dhe se ekzistonin disa probleme financiare. Mos ka ndikuar edhe pjesa e financës te largimi i Brdariçit?
Presidenti Xhaferi e tha tamam sa i përket paprekshmërisë, pasi e filloi nga vetja. Pa dyshim, trajneri gjerman e ka pasur një kosto.

Më duket e ka pasur rrogën mujore 7 mijë euro, pa përmendur edhe akomodimin apo kosto të tjera shtesë që mund të shkonin edhe 8 mijë euro në muaj.

Sa i përket anës financiare, nuk e di si e ka “terezinë” klubi. Por, gjersa e mbajtën 1 vit e gjysmë, mund ta mbanin edhe 6 muaj pa e prishur kontratën. Insistoj që kanë bërë mirë që i kanë besuar Plorit dhe çfarë të mirash kamë pasur për të marrë prej Brdariçit, i kanë fituar.

Mbase nuk është koha për të bërë shpenzime të mëdha te Vllaznia. Tani më mirë është me investuar te ndonjë pikë kyçe në ekip, për t’u forcuar me ndonjë lojtar. Lekët e kursyer nga kjo lëvizje mund të investohen për gjetjen e ndonjë elementi cilësor.

Si ish-kapiten, çfarë nuk shkoi te Vllaznia e këtij sezoni që i kushtoi edhe Brdariçit vendin e punës?
Nuk jam në brendësi të skuadrës, pasi jam pjesë e akademisë, por besoj se në radhë të parë ka qenë mosrealizimi i objektivit madhor. Pastaj, nuk e di si i kanë pasur planet me ndonjë lojtar të ri.

Mbase drejtuesit mund t’i kenë kërkuar diçka trajnerit dhe ai nuk e ka pranuar. Diku, ai (Brdraiç) është shprehur se këta mezi presin që unë të gaboj.

Pra, Brdraiç ka qenë i vetëdijshëm se diçka e tillë e priste?
Kam frikë se edhe kjo ka qenë, por këto janë muhabete kafenesh, jo të sakta. Kështu që, nuk mund të përgjigjem me kompetencë për ato shkaqe që po më pyesni.

Gjithsesi, humbja me Tiranën ka pasur ndikimin e saj, pasi për kryeqytetasit ka qenë si gjashtëpikësh dhe jo tri.

Mos ndoshta me këtë lëvizje drejtuesit kanë nisur para kohe zbatimin e projektit të ri për Vllazninë e sezonit të ardhshëm duke u bazuar te lojtarët me moshë të re, meqë dolën jashtë luftës për titull?
Nëse drejtuesit e kanë këtë pikësynim që po më pyesni, do të jetë diçka shumë e mirë për të ardhmen e Vllaznisë.

Dihet se sa elementë nxjerr Shkodra, e cila është një fidanishte e paparë për futbollin shqiptar.

Madje, me këtë rast dua të falënderoj edhe “Panorama Sport” për një speciale që kishit bërë para disa kohësh duke evidentuar se sa futbollistë nxjerr Shkodra duke furnizuar të gjitha klubet në vend.

Pasqyrimi i realitetit në atë shkrim më ka bërë krenar, pasi si trajner tek akademia kam pasur mundësinë që pjesën dërrmuese t’i kem stërvitur te moshat. Nuk është vetëm puna ime, por e gjithë stafit të akademisë që na bën krenarë.

A mund të themi se klubi nuk ka ditur t’i menaxhojë produktet e tij duke besuar më shumë te të huajt, që për hir të së vërtetës nuk kanë bërë diferencën, por u kanë zënë vendin të rinjve?

Pa dyshim disa produkte të akademisë duhet të ishin mirëmenaxhuar ndryshe.

Uroj që ndryshimi i fundit të jetë një ogur i mirë për t’i afruar të rinjtë, për të besuar tek ata dhe me ec përpara dhe klubi të ketë një garanci nga ky brez për të ardhmen.

Për mua shembulli për t’u marrë është gati, Tirana, e cila i ka menaxhuar mjaft mirë të rinjtë, që jo vetëm i promovon dhe u vjel frytet në fushë, por gati çdo vit edhe shet jashtë duke përfituar të ardhura të majme financiare.

Besoj se duke menaxhuar përfitimet nga produktet e akademisë, mund të arrihet që të administrohet edhe ecuria sezonale e klubit pa bërë shpenzime të kota në tregun e huaj.

Uroj që ky ndryshim të jetë hapi i parë i presidentit në të mirë të brezit të ri te Vllaznia.