Italia rikthehet në fushë. 72 orë pas suksesit befasues ndaj Francës, axurrët do të përballen me Izraelin në një ndeshje të vlefshme për xhiron e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve. Luciano Spalletti është në kërkim të konfirmimit dhe për këtë arsye nuk ka ndërmend të ndryshojë qasjen e tij taktike, edhe nëse ndeshja e sotme do të jetë krejtësisht ndryshe. “Ne nuk duhet të biem në kurth”, – tha Spalletti një ditë më parë.

Rreziku për Spallettin është ai i nënvlerësimit të një kundërshtari, që duket se nuk ka të njëjtat vlera teknike si axurrët, por është i mbushur me motive për të mos u kursyer. “Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, veshja e fanellës së Izraelit do të thotë diçka më shumë se futbolli. Ne duam t’i dhurojmë lumturi shtetit të Izraelit”, – deklaroi dje Dor Peretz, mesfushori i Maccabi Tel Aviv, me të kaluar te Venezia.

Luciano Spalletti do të ndryshojë 4-5 lojtarë për ndeshjen e sotme në krahasim me formacionin startues të së premtes së kaluar në mbrëmje, në “Parc des Princes”. Ai do ta bëjë këtë sepse Calafiori dhe Pellegrini janë të padisponueshëm, por edhe sepse dy ndeshjet luhen me tri ditë diferencë. Sa i përket sulmit, Retegui do ta nisë nga pankina. Në vend të tij do të ketë vend për Kean, me Brescianini që pritet të veprojë pas tij.

Mesfusha që performoi mirë në Paris jeton me dy dyshime: nëse Frattesi konfirmon se është 100% do të jetë në fushë, ashtu si edhe Tonali. Ricci bëri përshtypje të mirë dhe mund të preferohet sërish karshi Fagiolit. Cambiaso po shkon drejt konfirmimit në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë Udogie favorizohet ndaj Dimarco. Në mbrojtje, Buongiorno zëvendëson Calafiori, ndërsa Gatti favorizohet karshi Di Lorenzo. Konfirmimi i Alessandro Bastonit nga minuta e parë është i sigurt.

Ndeshja do të drejtohet nga sllovaku Ivan Kruzliak dhe do të luhet në një fushë neutrale, në “Bozsik Arena” të Budapestit. Që nga shpërthimi i Luftës së Gazës, Hungaria ka qenë vendi që pret të gjitha ndeshjet në shtëpi të kombëtares izraelite./telesport/

Izrael-Itali, formacionet e mundshme:

Izraeli (4-5-1) – Gerafi; Jehezkel, Shlomo, Gandelman, Revivo; Solomon, Lavi, Abu Fani, Peretz, Gloukh; Khalaili.

Italia (3-5-1-1) – Donnarumma; Gatti, Buongiorno, Bastoni; Cambiaso, Frattesi, Ricci, Tonali, Udogie; Brescianini; Kean.